Që nga katapultimi në pushtet i Partisë Socialiste në vitin 2013, Edi Rama i ka fituar edhe dy palë zgjedhje të tjera radhazi. Opozita pothuajse është zhdukur.

Qeveria socialiste me Edi Ramën në krye po rrëshqet drejt një autokracie.

Të kundërtën e kanë dëshmuar zgjedhjet në Kosovë, në të cilat votuesit ia zvogëluan pushtetin Albin Kurtit, kryeministrit të tanishëm që arriti të fitoi vetëm një shumicë relative.

Dhe, kjo ka ngjallur reagimin gazetarit Arian Çani, i cili e ka vlerësuar demokracinë në Kosovë, në një monolog të ndezur në emisionin e tij ‘Zonë e Lirë’ të martën.

Çani tha se Kosova dhe Shqipëria janë “sikurse nata me ditën”.

“Dhe, aq më tepër kur mendon se Kosova – se edhe ata flasin shqip dhe një shqipe shumë interesante – është si nata me ditë edhe me Shqipërinë. Vazhdojnë të bëhen zgjedhje normale, të pakontestuara. Kjo është perlë në atë vend. Bravo kosovarëve, ej. Vazhdojnë të bëjnë zgjedhje normale. Nuk ka asnjë kontestim nga palët. Nuk dëgjohet atje ‘u futën të fortët’, ‘na morën kartat’, inxhinieringu i votave etj. Është turp i madh ku jetojmë ne këtu. Urdhëro zgjedhjet në Kosovë”, u shpreh ai.

“Ku ndryshon ky vend nga një vend evropian sot? Ku ndryshon? Zero. Janë njësoj, si në Greqi, si në Itali, si në çdo vend normal. Bëjeni një pyetje vetes, çfarë është ky vend i psh** këtu ku jetojmë ne, kur vazhdojnë akoma të bëjnë hile me votën. Çfarë është ky vend i tmerrshëm. Prandaj, unë ju them largohuni nga ky vend dhe e di ku të shkoni.. shkoni jetoni në Kosovë”.

Çani i krahasoi zgjedhjet në Kosovë me atë në Belgjikë, Kroaci e Slloveni.

“Ka probleme gjithandej nuk është se s’ka, por një vend dallohet nga mënyra sesi voton. Po t’ia heqësh emrat e atyre [kandidatëve për kryeministër], ti nuk dallon asgjë; duket sikur Belgjikë. Në Belgjikë ka vite të tëra që asnjëri nuk e bën shumicën por nuk është dëgjuar ndonjëherë që ka probleme. Pse? Sepse vazhdon shteti”, tha Çani. “E kupton fiks në ditën e zgjedhjeve të Kosovës, sa herë që ka zgjedhje në Kosovë, ti e kupton se çfarë neverie është ky vend ku jetojmë ne”.

Nuk ia vlen të jetosh në Shqipëri, tha Çani, dhe vazhdoi me lëvdata për Kosovën.

“Thash me vete unë sot duhet të isha banor i Kosovës. Thash me vete shih sa bukur, nuk doli njeri të thoshte ‘na vodhën’, ‘na bënë’.. nuk ia vlen të jetosh këtu. E di pse? Sepse shija e jetës kur nuk të fusin dorën në xhep është ndoshta ajo që të vjen një herë në katër vjet, atëherë kur ti voton. Këtu ta psh*** edhe votën”, protestoi Çani.

Çani tha se Kosova gabon nëse bashkohet me Shqipërinë, por sipas tij, nëse kjo ndodh atëherë kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve duhet të jetë Prishtina, e jo Tirana.

“Vazhdoj të dëgjoj për [idenë] e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Jo po Shqipëria e madhe, Shqipëria e bashkuar e të gjitha këto. Dhe kur dëgjoj për shembull që thonë ‘normal, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë me kryeqytet Tiranën’. Psh***, Prishtina duhet të jetë kryeqyteti, nëse bashkohemi”, u shpreh Çani.

“Prishtina do të jetë [kryeqytet i Shqipërisë], nëse do të jetë një ditë. Unë, biles them s’ka nevojë bashkim fare, do t’i prishim kosovarët nëse bashkohen me këtë vend. Rroftë Kosova e lirë!”.