Monedha me vlerë një milion eurosh i kthehet Izraelit

U deshën gati 20 vjet punë e detajuar dhe një shteg që përshkoi kontinente përpara se çështja e monedhës së humbur me vlerë prej një milion eurosh të mbyllej.

“Një pjesë e dashur e historisë më në fund po kthehet në shtëpi,” tha një zyrtar amerikan në një ceremoni që shënoi rastin.

Ajo pjesë e historisë është një monedhë e vogël argjendi e pasur me simbolika, e punuar gati dymijë vjet më parë.

E grabitur në Izrael në vitin 2002, përfundimisht u gjurmua, u sekuestrua dhe po kthehet atje prej nga erdhi.

Saga filloi kur Autoriteti Izraelit i Antikiteteve (IAA) mësoi nga informatorët se monedha ishte marrë nga palestinezët në Luginën Ella, në jug të Jerusalemit.

IAA thotë se kaloi një dekadë e gjysmë duke u përpjekur për të gjetur monedhën, e cila kaloi nëpër tregjet e paligjshme të antikiteteve në Izrael, Jordani dhe Mbretëri të Bashkuar. Ajo përfundimisht u eksportua në SHBA për shitje në ankand në vitin 2017.

IAA njoftoi autoritetet në SHBA, të cilat më pas morën në ruajte administrative monedhën.

Hetimi iu kalua Njësisë së Trafikimit të Antikiteteve të Prokurorit të Qarkut Manhattan (ATU), e cila mori një urdhër gjykate për riatdhesimin e monedhës bazuar në informacionet nga informatorët në pesë vende së bashku me ndihmën e autoriteteve në Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Monedha u dorëzua të hënën në një ceremoni në zyrën e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit ku morën pjesë zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, përfshirë ambasadorin e Izraelit në OKB Gilad Erdan.

“Sot ne bashkohemi me partnerët tanë për të kthyer një pjesë tepër të rrallë të historisë së Izraelit, një simbol i pavarësisë nga koha e pranisë romake në atë që tani është Izraeli modern,” tha agjenti i HSI Ricky J Patel gjatë mbledhjes.

Monedha e argjendtë, e stampuar me motive hebraike, është një nga katër të tilla të llojit të saj që dihet se ekzistojnë.

Prerja e një monedhe të tillë ishte “në fakt një deklaratë e pavarësisë nga hebrenjtë në tokën e Izraelit, një deklaratë kundër perandorisë së fuqishme që qëndronte para tyre”, tha Ilan Hadad nga IAA.