Momenti që i vuri flakën Lindjës së Afërt: Raketa palestineze shkatërron autobusin izraelit (VIDEO)

Është publikuar videoja në të cilën shihet se si raketa palestineze godet një autobus ushtarak izraelit, duke shkaktuar kështu valë të dhunës në Rripin e Gazës.

Videoja është publikuar nga rrjeti televiziv i Hamasit të hënën në mbrëmje, dhe në të shfaqet momenti kur një projektil anti-tank godet autobusin e ushtrisë izraelit.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=83&v=j_9L2Q6csfc

Siç thuhet, raketa e ka goditur autobusin vetëm pak minuta pas që nga aty kanë dalë ushtarët, transmeton Ballkani.info.

Në xhirim shihet se si disa automjete ushtarake izraelite dhe shumë ushtarë qendrojnë para autobusit në momentin e sulmit.

Kjo është hera e parë që Hamasi lëshon raketën anti-tank të tipit “Kornet” prodhim rus në drejtim të caqeve izraelite në Rripin e Gazës që nga viti 2014.

Fraksioni palestinez më pas ka lëshuar komunikatë në të cilën thuhet se “luftetatët e saj me sukses e kanë sulmuar autobusin me plot ushtarë me raketën ‘Kornet’, duke shtuar se kjo ka bërë që të vriten dhe plagosen shumë ushtarë në autobus, transmetojnë mediat izraelite.

Në anën tjetër, ushtria izraelite ka deklaruar se nga ky sulm është plagosur një ushtar, i cili është në gjendje kritike.

Përleshje vdekjeprurëse midis Izraelit dhe Hamasit

Shtatë njerëz janë vrarë në dhunën midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës.

Militantët e Hamasit kanë hedhur mbi 400 raketa në Izrael që nga mbrëmja e së hënës, ndërsa ushtria izraelite ka thënë se, në përgjigje, ka goditur nga ajri mbi 150 caqe militante.

Gjashtë palestinezë, katër nga ta militantë, janë vrarë në Gaza, ndërsa një civil palestinez është vrarë në një sulm me raketa në Izraelin jugor.

Kombet e Bashkuara iu kanë bërë thirrje të dyja palëve që të tregojnë përmbajtje.

Edhe Izraeli, edhe Hamasi, i cili kontrollon Rripin e Gazës, kanë kërcënuar se do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre.

Vëzhguesit kanë thënë se ky është një nga raundet më serioze të luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit që nga lufta e tyre më 2014.

Dhuna ka shpërthyer kur një mision i fshehtë izraelit është ekspozuar të dielën në Gaza.

Shtatë militantë palestinezë, përfshirë një komandant ushtarak të Hamasit, si dhe një anëtar të njësisë së fshehtë izraelite, janë vrarë gjatë këtij incidenti.
/Ballkani.info/