Momenti kur lojtares ruse i hiqet flamuri live gjatë lojës në Poloni, acarohet Rusia

Një incident ka ndodhur gjatë kampionatit botëror të një loje të ngjashme me shahun që po mbahet në Poloni. Lojtares ruse, Tamara Tansykkuzhina, iu largua flamuri drejtpërdrejt gjatë lojës, duke nxitur shumë reagime në Rusi.

Damina Reszka, president i federatës polake të lojës së njohur si “checkers”, kërkoi falje pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale në Rusi, por tha se organizatorët nuk patën zgjidhje tjetër, pos t’i zbatonin rregullat ndërkombëtare të sportit, të cilat ua ndalojnë rusëve që të garojnë nën flamurin e tyre.

Rusja Tamara Tansykkuzhina është gjashtë herë kampione botërore në këtë lojë. Sidoqoftë, ajo e humbi lojën e së martës kundër polakes Natalia Sadowksa. Këto dy lojtare po garojnë për titullin e kampiones së botës në Varshavë. Gara do të zgjasë deri më 3 maj dhe zhvillohet me nëntë lojë. Aktualisht në epërsi është lojtarja nga Polonia.