Momenti kur Edison Begaj qëllohet me armë para familjes, autori i kamufluar si polic [Pamje të rënda]

Atentatori i Edison Begajt mbrëmjen e 29 majit në Vlorë ishte i veshur si efektiv policie dhe e qëlloi 38-vjeçarin, me precedent penalë, në sy të dy fëmijëve të mitur.

Ora News ka siguruar pamje ngjarjes ku Begaj mbeti i plagosur me katër plumba.

Ishte ora 23:20 kur 38 vjeçari po kthehej në shtëpinë e tij në fshatin Kaninë, ndërsa në automjet bashkë me të ndodhen edhe dy djemtë e mitur.

Ai zbret nga makina për të hapur portën e banesës dhe duket në pamje teksa sheh celularin.

Pak sekonda në vonë në pamje shfaqet autori i plagosjes.

I veshur me uniformë të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit dhe me maskë të fytyre, atentatori afrohet pranë makinës në të njëjtën kohë me 38-vjeçarin.

Dy burrat sipas pamjeve shkëmbejnë disa fjalë dhe në atë moment ndaj Edison Begajt hapet zjarr me pistoletë në gjymtyrët e poshtme.

Nga dinamika duket se autori nuk ka për qëllim ekzekutimin e 38-vjeçarit, por i ka dërguar një mesazh të qartë kriminal në sy të fëmijëve të mitur.

Në dëshminë e parë, ai citohet të ketë deklaruar se nuk e njohu njeriun që qëlloi në derë të shtëpisë, që monitorohet nga kamera sigurie, si një tregues që 38-vjeçari u trembej atentateve të tilla.

Edhe pse ka në dorë këto pamje sigurie, policia e Vlorës ende nuk ka arritur ta identifikojë personin që u maskua si një prej tyre për një ngjarje kriminale, ku pista kryesore e hetimit është ajo e çështjeve të trafikut të drogës.