Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj thotë se të gjitha kushtet e kësaj partie u plotësuan sot në Kuvend.

“Shumë nuk na besuan. Na thanë që nuk ka shancë ta shkarkoni Rikallon. Na thanë që ligji për paga është i pashpresë dhe nuk do të bëhet. Na thanë që ligjin për dialog nuk do t’ua pranojë pushteti sepse është kufizues për të…”, ka shkruar Molliqaj, duke shtuar se “Por ne në vend të vajtimeve e akuzave, vendosëm të ecim përpara. Dhe ja ku jemi. Sot e shkarkuam Rikallon”.

Sipas tij, sot kemi ligj të pagave që ua rritë pagat të gjitha kategorive të sektorit publik.

“Sot kemi ligj që e rregullon dialogun dhe ia kthen kuvendit rolin drejtues. Sot kemi komision për sistemin pensional, që do ta rregullojë këtë të fundit. Për 3 muaj do të kemi Ligj për Qeverinë që do ta kufizojë numrin e zv.ministrave në vetëm 2 për ministri. I falenderoj të gjithë mbështetësit e PSD-së që patën durimin të përballojnë shpifjet e akuzat e ulëta. Që patën durimin të na mbështesin dhe së bashku të nxjerrim në dritë një politikbërje krejt ndryshe prej asaj që e kanë bërë partitë deri sot. Një politikbërje që sjell ndryshim në Kosovë. Ju falenderoj që nuk u dëshpëruat përballë akuzave e shpifjeve të ulëta por treguat që në Kosovë po lind një subjekt normal, demokratik, me politika e zgjidhje konkrete e pozitive, që bazon veprimet në program e parime e jo në thëniet e liderit apo sloganet dogmatike.
Po ecim përpara dhe nuk do të ndalemi :)”, ka shkruar ai në fund. /Ballkani.info/