Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj me rastin e 12 vjetorit të vdekjes së dy aktivistëve në protestën e 10 shkurtit të 2007-ës ka akuzuar pushtetin për vrasjen e tyre.
Ai në Facebook ka shkruar se pushteti nuk e donte demokracinë dhe nuk pranonte mendim ndryshe.
“Progresi, liria dhe barazia, shumë shpesh hasin në rezistencën e pushtetit të padrejtë që synim ka ruajtjen e një gjendjeje të caktuar. Moni dhe Arbeni, para 12 vitesh u angazhuan duke protestuar për progres, liri dhe barazi. Pushteti i vrau sepse nuk e duronte idenë që qytetarët të angazhohen vetë për fatin e tyre. Pushteti nuk e donte demokracinë dhe nuk pranonte mendim ndryshe”, ka shkruar Molliqaj.
Ai ka rikujtuar edhe faktin se edhe pse kanë kaluar 12 vite, askush nuk është dënuar për vrasjen e Monit dhe Arbenit.
“Sot e asaj dite askush nuk është dënuar për vrasjen e Monit dhe Arbenit. 10 Shkurti, do të na e përkujtojë gjithmonë që Kosova sikur që ka pasur regjime jo-demokratike dhe autoritare, po ashtu ka pasur qytetari aktive që i ka përballuar këto regjime”, ka përfunduar shkrimin e tij ai.







