Dikur e kishte koleg e bashkëpunëtor të ngushtë, por jo edhe tani prejse ka dalë nga ish-partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje. Përkundrazi, deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, tash e disa muaj ka nisur një “betejë” të ashpër me ish-bashkëpartiakun Glauk Konjufca.

Derisa fillimisht e akuzonte atë se ishte pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), gjatë seancës së djeshme Molliqaj vendosi t’i numërojë “faktet” që sipas tij e dëshmojnë një gjë të tillë se para shumë vitesh Konjufca kishte shërbyer në SHIK, shkruan Gazeta “Zëri”.

Me këtë rast, deputeti i PSD-së tha se Glauk Konjufca kishte qëndruar në SHIK përgjatë periudhës kohore 2000 – 2001, ndërkohë kishte marrë pagë mujore prej 150 markash. Pavarësisht këtyre akuzave në drejtim të tij, Konjufca nuk replikoi fare gjatë seancës së të premtes. Por megjithëkëtë shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së nuk la pa reaguar jashtë seancës, me ç’rast mohoi në plotësi të gjitha pretendimet e Molliqajt, të cilat e bëjnë Konjufcën pjesëtar të SHIK-ut. Për të njëjtën çështje reaguan edhe zyrtarë të tjerë të LVV-së, të cilët kërkuar dorëheqjen e ish-bashkëpartiakut të tyre nga pozita e deputetit.

Molliqaj: Konjufca mori pagë 150 marka në SHIK

Teksa ka paraqitur “faktet” që shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, ka qenë pjesë e SHIK-ut, deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj ka thënë se Fadil Lepaja ishte ai i cili e kishte rekrutuar Konjufcën në këtë organizatë. “Për deklaratën time të thënë në Kuvend që njëri prej ish-kolegëve të mi, Glauk Konjufca, ka qenë shërbyes dhe anëtar i SHIK-ut, më duhet t’i jap informatat që e konfirmojnë. Viti kur Konjufca ka shërbyer në SHIK ka qenë 2000 – 2001. Paga ka qenë 150 marka. Rekrutimin e ka bërë Fadil Lepaja. Sektori në të cilin ka punuar ka qenë Përpunimi i të dhënave”, ka deklaruar ai.

Mirëpo një informatë të tillë e ka hedhur poshtë menjëherë Fadil Lepaja. Në një reagim kundrejt Molliqajt, Lepaja ka thënë se ai personalisht asnjëherë nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut. “Me përgjegjësi të plotë penale dhe morale deklaroj se kurrë në jetën time nuk kam qenë pjesëtar as bashkëpunëtor, me vetëdije e besoj as pa vetëdije, i Shërbimit Informativ të Kosovës. Më vjen keq që emri im qenka keqpërdorur në debate”, ka deklaruar Lepaja.

Pavarësisht kësaj, gjatë deklaratës së tij në seancën e djeshme në Kuvend, Molliqaj ka thënë se vetë Konjufca kishte paraqitur para tyre një letër që kishte të bënte me SHIK-un. “Vetë letrat që kanë ardhur nga terreni, një prej letrave që Glauku e kishte ndarë me neve si histori, ishin edhe të dhënat që vinin nga Lugina e Preshevës se kush e ku po ndalet dhe gjitha ato letra që vinin me shkrim të dorës Glauku me kolegët e tjerë i përpunonin dhe i futnin në të dhënat e SHIK-ut”, ka nënvizuar ai.

Vendimin për ta braktisur SHIK-un sipas Molliqajt, Konjufca e kishte marrë për shkak të pagës jo të kënaqshme që merrte atë kohë. Tutje, deputeti i PSD-së i ka bërë thirrje ish-bashkëpartiakut të tij që të dalë dhe ta pranojë të vërtetën, respektivisht të ballafaqohet me të kaluarën e tij. “Dikush që nuk guxon ta pranojë të kaluarën e vet është i rrezikshëm në politikë, sepse ai person sigurisht se do ta bëjë edhe veprimin tjetër duke e fshehur të parin”, është shprehur Molliqaj.

Gjatë fjalës së tij, Molliqaj i ka bërë thirrje ish-bashkëpartiakut të tij të shkojë te Hysri Peçani, i njohur si Burdushi. “Tash mund të shkosh te Burdushi, ndoshta të ndihmon dhe e kalon këtë krizë si krizat e tjera”, ka deklaruar ai, shkruan Gazeta “Zëri”.

Konjufca: Molliqaj gënjeu, kurrë s’kam qenë në SHIK

Në një prononcim për medie shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e deputetit Dardan Molliqaj, i cili në seancën e djeshme tha se Konjufca ka shërbyer në SHIK gjatë viteve 2000 – 2001. “Unë kurrë nuk kam qenë në SHIK dhe as kam punuar kurrë në të. Ky i sotmi ishte një film shumë i dobët fantastiko-shkencor i Molliqajt. Ai gënjeu sërish, meqë para pak ditësh premtoi me shumë bujë nxjerrjen e ‘dokumenteve’ kundër meje, kurse sot ra në nivelin e llafeve ‘me të dëgjuar’. Dardani definitivisht nuk po e kuptuaka se çka është dokumenti si i tillë. Ky person është shumë joserioz dhe gjynah për Kuvendin që është deputet”, ka deklaruar Konjufca.

Ai më tej ka thënë se ia ofron 24 orë afat Molliqajt që t’i dokumentojë tërë ato që i ka deklaruar kundër tij. Në të kundërtën drejtuesi i Grupit Parlamentar të LVV-së ka thënë se pret që Molliqaj t’i kërkojë falje publike për akuzat e bëra karshi tij.

Haxhiu kërkon dorëheqjen e Molliqajt

Ndonëse deputeti Glauk Konjufca nuk u ishte kundërpërgjigjur akuzave të ardhura nga Dardan Molliqaj, për një gjë të tillë nuk kanë lënë pa reaguar deputetë të tjerë të LVV-së. “Pas deklaratës së Fadil Lepajës i kërkoj publikisht Dardan Molliqajt të japë dorëheqje nga posti i deputetit”, ka shkruar në profilin e saj në “Facebook” deputetja Albulena Haxhiu.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti tjetër i LVV-së, Liburn Aliu, i cili ka thënë se gjithmonë ka pasur akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje. Krejt këto sipas deputetit të PSD-së paraqesin një projekt shumë të rrezikshëm. “Ky është një projekt i rrezikshëm, i dështuar prej të cilit kanë mbetur vetëm piskamat. Por meqë është i dështuar nuk është relevant për t’u marrë me këtë”, ka potencuar Aliu.

Ndërkohë, se Konjufca ka qenë pjesë e SHIK-ut gjatë ditës së djeshme, pos Molliqajt, ka pohuar edhe deputeti tjetër i PSD-së, Frashër Krasniqi, i cili ka thënë se një gjë e tillë tashmë është faktuar, shkruan Gazeta “Zëri”.

Kërkohet vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë

Gjatë seancës së djeshme Kuvendi i Kosovës votoi kërkesën e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe në “Vala” për zgjatjen e mandatit, me ç’rast Komisionit në fjalë i është zgjatur mandati edhe për pesë muaj të tjerë. Por në Kuvend munguan votat për formimin e komisionit ad hoc për përmirësimin dhe për forcimin e procesit zgjedhor.

Ndërkohë është debatuar edhe rreth kërkesës së deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga nëntë deputetë nënshkrues, në lidhje me të drejtat e pensionistëve kontributdhënës. Gjatë fjalës së saj, Haxhiu ka propozuar një rezolutë për pensionistët kontributdhënës, me ç’rast ka thënë se Qeveria duhet t’u japë pension kontributdhënës atyre që kanë punuar dhjetë ose më shumë vjet.

Po ashtu gjatë seancës plenare është debatuar edhe rreth kërkesës së deputetit të pavarur, Korab Sejdiu, lidhur me nevojën urgjente për vendosjen e sanksioneve ekonomike, duke përfshirë embargon, dhe sanksioneve politike kundër Serbisë si masë reciprociteti. Rrjedhimisht, është propozuar edhe votimi i një rezolute për embargo të plotë ekonomiko-politike.