Molliqaj për protestën: Haptazi po e shfaqin standardin e dyfishtë

Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, thotë se Lëvizja Vetëvendosje po planifikon të mbajë protestë në prag të vendimit që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, haptazi po e shfaqin standardin e dyfishtë, në kundërshtim me masat kufizuese të cilat i kanë vendosur vetë.

Postimi i tij i plotë:

Vetëvendosje po planifikon të mbaje proteste në prag të vendimit që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese. Shumë mirë që po e shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike. Tash, pasi haptazi po e shfaqin standardin e dyfishtë duke organizuar protesta, por në kundërshtim me masat kufizuese të cilat i kanë vendosur vet, ka ardhur koha që keto masa të hiqen plotësisht.

Rruga që ka zgjedhur qeveria për t’u mbrojtur nga pandemia është dritëshkurtër. Halli i vetëm i tyre është dukja para opinionit publik.

Masat e rrepta kufizuese, të paktën do të duhej të shoqëroheshin me sa më shumë testime. E kundërta ka ndodhur, masat kufizuese, edhe pse të gabuara në rreptësinë e tyre, ishin diskriminuese ne zbatim. Karantina në Qendrën e Studentëve nuk duhet të kalojë pa një hetim gjithëpërfshirës. Shkeljet e diskriminimet aty kanë nisur që prej selektimit të personave, deri tek kohëzgjatja e qëndrimit e trajtimi në karantinë.

Ndërhyrjet në ekonomi në anën tjetër jane tejet të pamjaftueshme. Mosndërhyrja në kohën e duhur me masa ekonomike do t’i kushtoj shumë ekonomisë, e për këtë duhet mbajtur përgjegjës Kurti e Bislimi, pavarësisht se në çfarë pozicioni mund të jenë nesër.

Përtej oportunizmit elektoral, nuk ka asnjë kuptim hapja e xhamive para shkollave e kafeneve. Në këto të parat frekuentojnë në masa të madhe persona të moshës së tretë, që janë më të rrezikuar nga virusi. Ndërkaq, kafenetë e gastronomia përveç që janë aktivitet kyç ekonomik, nuk i mbledhin në hapësirë të mbyllur me të rrezikuarit.

Duke instrumentalizuar shoqërinë civile, Qeveria Kurti ka organizuar protestë kur masat ishin ende tejet të rrepta, kur njerëzit arrestoheshin e futeshin në karantinë pse kishin dalë për nevojat e tyre. Edhe sot është njëjtë, masat janë në fuqi nga Qeveria, vetë ajo ndërkaq po proteston. Masat duhet të hiqen për të gjithë! Edhe ata qe nuk protestojnë për ta mbrojtur qeverinë janë qytetarë.