Molliqaj: Nëse qasja e re e Kurtit është sikur ajo e targave, atëherë s’ka marrëveshje, por konflikt të përhershëm

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në veri, respektivisht vendosjes së masës së reciprocitetit sa i përket targave të automjeteve.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Molliqaj ka thënë se veprimet e Kurti po çojnë nga kriza në krizë e drejt përjetësimit të konfliktit

Tutje ai ka thënë se nëse kjo është qasja e re e Qeverisë, atëherë nuk do të ketë marrëveshje, por konflikt të përhershëm.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

Nga kriza në krizë, drejt përjetësimit të konfliktit
Kosova filloi vendosjen e tabelave provë ndaj shtetasve të Serbisë, siç po bënte prej kohësh Serbia ndaj nesh. Problemi i targave, letërnjoftimeve, fusnotës dhe të gjitha marrëveshjeve të pjesshme është mungesa e marrëveshjes politike me Serbinë. Secili veprim i Kosovës duhet të jetë i drejtuar kah ky qëllim. Veprimi me targat, sado korrekt që mund të duket, i kontribuon mirëmbajtjes dhe përjetësimit të problemit.
10 vitet e fundit të dialogut janë udhëhequr nga fjala e mendësia e kompromisit. Jemi futur në rrugë e procese teknike pa u’a ditur fundin. Ka rrezik që 10 vitet e ardhshme t’i humbim nën shenjën e ekstremit tjetër. Të sillemi sikur jemi të vetëmjaftueshëm, sikur nuk na duhet marrëveshja finale dhe njohja nga Serbia.
Ky qëndrim përvidhet e formësohet prej 2 vitesh. Prej pozicionit historik, mbrojtës e çlirimtar, Kosova po shkon drejt një qëndrimi destruktiv e moskokëqarës. Ky qëndrim është i arsyetuar pa asnjë mëdyshje përmes reciprocitetit si parim udhëheqës. Përtej faktit se shpesh mund të jetë i përdorshëm e praktik, pyetja që shtrohet është se deri në çfarë mase mund të universalizohet si parim? Diskursi mbizotërues e ka bërë këtë nocion një shënjues që organizon secilën fjalë mbi vlerat njerëzore. Reciprocitetit po i nënvendosen vlera universale si barazia e liria, ose po bëhet sinonim i tyre. A është vërtetë kështu? Reciprociteti është parimi i talionit në marrëdhëniet midis shteteve. Si koncept, ai nënkupton ekzistencën e përhershme të palëve me interesa të ndryshme (të dyja partikulare) e disponim armiqësor. Ky regjistër informohet prej natyrës së egër hobsiane, kurse reciprociteti si rregullatori i kësaj dhune. Veç kësaj, a duhet vepruar siç vepron armiku yt në secilën situatë. Ta zëmë, Serbia vazhdimisht dhe heshturazi përmes presioneve të ndryshme ekonomike, policore e administrative bën dëbimin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. A duhet t’i përgjigjet Kosova me të njëjtën monedhë tek serbët?! Për neve jo. Parimi ynë është barazia e paqja midis popujve, kurse i përgjigjemi me antifashizëm secilës përpjekje për pushtim.
Cili ishte qëllimi i veprimit me targat? Reciprociteti? Pse nuk vazhdon atëherë me dokumentet e udhëtimit? Tregtia ka edhe më shumë peshë. Serbia ka shitur mbi 100 milionë euro mallra prej fillimit të vitit.
Në anën tjetër, problemi i targave krijoi një problem tjetër: bllokimin e rrugëve magjistrale. Bllokimi i rrugëve mban faktikisht edhe kufirin jofunksional, por Qeveria thotë se nuk i pengon kjo gjë. Bllokimi siç duket do të vazhdojë. Përvoja nga e kaluara na thotë se kjo situatë përfundon në tavolinë bisedimesh.
Nëse qasja e Qeverisë së re mbi dialogun i ngjan kësaj të targave, atëherë e dimë me siguri se nuk po shkojmë drejt një marrëveshjeje përfundimtare, por drejt një konflikti të përhershëm. Asnjë masë konkrete e asnjë marrëveshje nuk mund të vlerësohet si e izoluar dhe e pavarur.
Në situatën konkrete nuk duhet të lejojmë që asnjë veprim të na çorientojë nga qëllimi kryesor që është marrëveshja përfundimtare përmes njohjes reciproke. Secilin veprim e secilën sjellje duhet ta vlerësojmë karshi këtij synimi. Është tejet dekurajuese dhe nuk do të donim që betejat e gjeneratave të ardhshme të jenë të njëjta me ato që i luftuan prindërit tanë.