Molliqaj: Madhështisë së ardhjes së Kurtit në pushtet i doli boja- ra lavdia

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj i ka reaguar edhe një herë kryeministrit Albin Kurti lidhur me mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

“Liria nuk ka çmim, e megjithatë Kurti e përbiroi në sitën e përfitimit, duke dëshmuar për të satën herë se ai ishte kundër çlirimit të armatosur. Në intervistat para luftës ai shprehet kundër dekolonizimit si një akt i dhunshëm, në ndërkohë që kishte ndodhur luftë në Bosnje e masakër ndaj popullatës vendore atje, nga ushtria Serbe. Tek Kurti përvidhet logjika e nënshtrimit, por për petkun e guximit është treguar i kujdesshëm, deri më tani”, shkruan Molliqaj.

Postimi i plotë:

Sa, sa, sa?

Sa humbim e sa fitojmë janë numrat që mblidhen e shumëzohen me lapsin e pushtetit. Çdo gjë është numër në fund. “Sa kushton” është po e njëjta logjikë e fjalisë “matu me votë”. Çdo gjë e zbritur në regjistrin e shfrytëzimit. Ky është Kurti dhe kështu duket “periudha e tij”. Aspak autentike, por megjithatë e dëmshme.

Liria nuk ka çmim, e megjithatë Kurti e përbiroi në sitën e përfitimit, duke dëshmuar për të satën herë se ai ishte kundër çlirimit të armatosur. Në intervistat para luftës ai shprehet kundër dekolonizimit si një akt i dhunshëm, në ndërkohë që kishte ndodhur luftë në Bosnje e masakër ndaj popullatës vendore atje, nga ushtria Serbe. Tek Kurti përvidhet logjika e nënshtrimit, por për petkun e guximit është treguar i kujdesshëm, deri më tani.

Ai e bëri kalkulimin atëherë, prandaj nuk ju bashkua luftës me tërë qenien e tij. Ai kalkulon sot, prandaj nuk mbron UÇK-në me tërë pushtetin që ka.

Të luftojmë apo të mos luftojmë? – Kjo nuk ishte asnjëherë dilemë për ushtarin/en e Ushtrisë Çlirimtare. T’i mbrojmë ose jo ata/ato është kalkulim, por edhe besim. Pozicionim politik në histori. Madhështisë së ardhjes së Kurtit në pushtet i doli boja- ra lavdia.