Molliqaj: Kurti është i hapur ndaj Serbisë dhe i mbyllur ndaj Shqipërisë

“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka një kundërthënie në nenin 1.1 me nenin 1.3. Neni 1.1 thotë që Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik e neni 1.3 na ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, siç është Shqipëria, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrim të llojit tjetër siç është ai europian”, kështu ka deklaruar krei i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot në Lezhë për çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Por kundër kësaj deklarate ka dalë kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, që po e akuzon Kurtin se po qëndron “i hapur ndaj Serbisë dhe i mbyllur ndaj Shqipërisë”.

“Albin Kurti nuk i thotë jo Lajçakut për ndryshime kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Albin Kurti i thotë jo ndryshimeve kushtetuese për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kur i tradhton bindjet dhe vlerat, ndryshimi i qëndrimeve bëhet vetëm çështje kohe”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Kurti ka qëndruar në Lezhë sot me rastin e shënimit të 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.