Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar për përmendoren e shëmtuar të Skenderbeut e vendosur në Prizren më 28 nëntor.
“Ata që e paraqesin Skënderbeun si oborrtarë të Sulltanit, janë vetë oborrtarë të Erdoganit”, ka shkruar Molliqaj.
Sipas tij, ngrirjet e momenteve sublime të historisë qoftë si data, qoftë si përmendore janë shëmbylltyra për orientim.
“Skënderbeu i shqiptarëve nuk është sanxhakbej, por as kalorësi i krishtërimit. Skënderbeu i shqiptarëve është Skënderbeu si unifikues antiperandorak. Skënderbeu që lirinë e gjen në shpirtin e popullit të vet”, thekson ai, duke shtuar se disiplinimi i Skënderbeut në Prizren është në përputhje të plotë me neo-otomanizmin e projektuar nga Erdogan.
“Ky projektim nuk e duron Skënderbeun në pozicion lufte. Autori i veprës edhe artistikisht të shëmtuar na e tha qartë motivin dhe burimet që ka përdorur. Ai na tha se Skënderbeu i tij është Skënderbeu i perandorisë që Sulltani e donte si të birin e vet. Kryetari Haskuka e mbrojti atë duke e quajtur “origjinale”. Mos harroni, ky është rasti i dytë që partia regjim zbaton instruksionet e Erdoganit. Rasti i parë është favori marramendës që ish-ministri Besnik Bislimi i pati bërë kompanisë “Limak” që është pronare e aeroportit”, ka shkruar në fund Molliqaj. /Ballkani.info/







