Molliqaj i entuziasmuar: Na thoshin jemi pak

Sot, Partia Socialdemokrate ka mbajtur tubimin e degës në Prishtinë.

Kryetari Shpend Ahmeti shpalosi para mbështetësve të shumtë orientimin programor dhe planin për shtrirjen dhe zgjerimin e PSD-së në çdo lagje e fshat të Prishtinës.

Bashkë me koordinatorin e degës, Bashkim Behen dhe anëtarën e Kryesisë Teuta Rrusta, ata e cilësuan krijimin e infrastrukturës organizative si mundësi për përhapjen e platformës socialdemokrate që fuqizon politikat zhvillimore dhe sociale, bën të ditur një njoftim nga PSD.

“Prishtina është komuna që luftoi me rezultate konkrete krimin e korrupsionin; që njihet sot edhe ndërkombëtarisht si shembull i transparencës radikale dhe i politikave të barazisë. Qeverisja socialdemokrate e Shpend Ahmetit përmirësoi dukshëm kushtet në sektorin e arsimit e të shëndetësisë; modernizoi administratën, shërbimet e transportin publik; si dhe zgjeroi hapësirat publike”, është thënë në tubim.

Ndërkaq, deputeti i kësaj partie, Dardan Molliqaj është shprehur i entuziasmuar me numrin e pjesëmarrësve në tubim, shkruan ballkani.info.

“Njëherë thanë “s’kanë njerëz pas vetes”. Pastaj thanë “paska njerëz ama shumë pak”. Tash, kur po e shohin mbështetjen e madhe, po thonë “nuk na duhen zyra të partive, por zyra të punësimit”. Edhe vendet e punës do të krijohen sapo socialdemokratët të qeverisin me vendin. Urime socialdemokratëve të Prishtinës”, ka shkruar Molliqaj. /Ballkani.info/