Molliqaj flet pas lirimit: Pushteti iu përgjigj me dhunë protestës sonë paqësore

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka folur pas lirimit të tij nga mbajtja pas arrestimit  ditën e hënë në një aksion të partisë së tij në zyret e ZRRE-së.

Molliqaj me anë të një postimi në Facebook ka thënë se pushteti i Kurtit përdori policinë ndaj një proteste paqësore, shkruan lajmi.net.

Ai ka shtuar se pyetjeve për rritjen e çmimit të rrymës, sipas tij pushteti iu përgjigj me dhunë e disiplinë.

“Vendimeve të padrejta dhe thellimit të pabarazisë, Qeveria Kurti po i përgjigjet në mënyrën më tipike për pushtetet me mendësi autoritare: dhunë e disiplinim”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë i Molliqajt

PËRBALLË SKANDALEVE E VENDIMEVE TË PADREJTA, PUSHTETI DON DISIPLINË

Ndaj një proteste paqësore që synim kishte zbardhjen e mashtrimit për rritjen e çmimit të energjisë, pushteti përdori policinë.

Ndaj protestuesve që u nxorrën me dhunë, pushteti urdhëroi mbajtje 48 orëshe pa ekzistuar asnjë rrethanë ligjore për një vendim të tillë.

Pyetjeve tona se sa është rritur çmimi i rrymës e sa fiton KEDS-i në krejt këtë krizë, pushteti iu përgjigj me dhunë e diciplinë.

Vendimeve të padrejta dhe thellimit të pabarazisë, Qeveria Kurti po i përgjigjet në mënyrën më tipike për pushtetet me mendësi autoritare: dhunë e disiplinim.

Pas 48 orësh izolim, u liruam të gjithë. Pa ndërruar asnjë rrethanë. Ndërkohë që prokuroria po mban ende nën arrest Nol Nushin dhe Genc Sherifin, në një farsë gjyqësore pa asnjë kuptim ligjor. /Lajmi.net/