Mosdekretimi i Gent Cakaj në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ka nxitur polemika të shumta, ku polemika e fundit është ajo në mes të VV-së dhe PSD-së.
Dardan Molliqaj nga radhët e PSD-së përmes një postimi në facebook ka thënë se Gent Cakaj ishte larguar nga VV-ja në vitin 2008 për shkak se nuk ishte dakord me qëndrimet e VV për Planin e Ahtisaarit, ndërkaq sipas Molliqajt, sot VV po e mbron me fanatizëm Planin e Ahtisaarit, kurse po shpif e gënjen në mënyrën më të ulët për Gent Cakajn.
Molliqaj ka pyetur Albin Kurtin se pse e ftoi të kthehet Gent Cakaj në VV, nëse ky paska qenë spiunë?
Ja statusi i plotë:
lir Meta qenka i mirë. Edhe pse Albin Kurti e VV, e kanë akuzuar për vrasjen e protestuesve të 21 janarit.
Ilir Meta qenka i mirë. Edhe pse Albin Kurti e VV e patën akuzuar për krim e korrupsion në Shqipëri.
Kurse Gent Cakaj qenka i keq. Edhe pse Albin Kurti e pat lutur që të kthehet në VV, në një takim në vitin 2014.
Gent Cakaj është anëtarësuar në VV në qershor të vitit 2006 dhe është larguar në mars të vitit 2008. Ai ishte larguar sepse nuk ishte dakord me qëndrimet e VV për Planin e Ahtisaarit. Sot VV po e mbron me fanatizëm Planin e Ahtisaarit, kurse po shpif e gënjen në mënyrën më të ulët për Gent Cakajn.
Pse e ftoi Albini që të kthehet në VV, nëse ky paska qenë spiun, e i porositur?!
Apo fjala është thjeshtë për hipokrizinë e vazhdueshme të stilit “kush është me mua është i mirë” (madje edhe nëse ai është Ilir Meta apo Isa Mustafa), e “kush nuk është me mua është i keq” (edhe nëse ai është Edi Rama – të cilin më herët e kishte ngritur në qiell).







