Molliqaj: Çfarë po shohim në Jerusalem është valë tjetër e kolonizimeve

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar për zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Palestinës, dhe konfliktit që la disa palestinezë të vrarë pas bombardimeve nga forcat izraelit.

Me anë të një postimi në Facebook, Molliqaj ka thënë se sipas tij, ajo që po shohim tani në Jerusalem është një valë e re kolonizimesh.

“Terror shtetëror” është shprehja adekuate kur mënyra e përdorimit të aparatit të dhunës është arbitrare dhe kundër lirive dhe të drejtave themelore. Në anën tjetër, as qëllimet për ndryshimin e kufijve nuk janë aprovuar nga komuniteti ndërkombëtar. Zaptimi i pronave në Jerusalem, por edhe vendbanimet në Bregun Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me gjithë përpjekjet për bashkëjetesë e barazi midis dy popujve. Veç kësaj, ndërhyrja e dhunshme e policëve brenda në xhami është e pa precedentë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në Kosovë flitet për çështjen e Palestinës pasi që Kosova është një popull me të njëjtat histori vuajtjesh.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Palestina është çështje e lirisë e pikëpamje për botën!

Çfarë po shohim në Jerusalem është një valë tjetër kolonizimesh. Terrori shtetëror ndryshon demografi. Shpronësime, dëbime, pastaj vendosje të kolonëve. “Terror shtetëror” është shprehja adekuate kur mënyra e përdorimit të aparatit të dhunës është arbitrare dhe kundër lirive dhe të drejtave themelore. Në anën tjetër, as qëllimet për ndryshimin e kufijve nuk janë aprovuar nga komuniteti ndërkombëtar. Zaptimi i pronave në Jerusalem, por edhe vendbanimet në Bregun Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me gjithë përpjekjet për bashkëjetesë e barazi midis dy popujve. Veç kësaj, ndërhyrja e dhunshme e policëve brenda në xhami është e pa precedentë.

Lufta për origjinën merr gjithnjë premisa superioriteti që përjashton e shtyp të tjerët. Konflikti izraelito-palestinez nuk ka natyrë primordiale as nuk është përplasje qytetërimesh. Duke e trajtuar kështu, tash sa kohë rrymat reaksionare thjesht e kanë ushqyer njëra-tjetrën. Në njërën anë, është e djathta e Netanyahut që nuk e ndalon represionin dhe shtyerjen e kufijve, kurse në anën tjetër fundamentalizmi Hamas që nuk e pranon ekzistencën e Izraelit. Emri i këtij problemi është kolonializmi, kurse zgjidhja barazia dhe bashkëjetesa midis popujve.

Pse flasim ne në Kosovë për Palestinën?! Kjo është nënqeshja cinike që vjen prej një populli me të njëjtat histori vuajtjesh, që befas shtiret si i forti i lagjes që qesh e përçmon fatet e të tjerëve. Palestina është çështje e lirisë, dhe jo e identiteteve kulturore a fetare! Liria e vetëvendosja i takon secilit popull. Prandaj Palestina s’mund të shihet si interes! Prandaj Palestina është pikëpamje për botën më shumë sesa problem lokal!.