Kryetari i PSD-së

Molliqaj: Aventurat e Kryeministrit i paguan Kosova në dialog me realizimin e Asociacionit.

I pari i PSD-së Dardan Molliqaj ka reaguar pas mbledhjes së sotme të KQZ-së, ku iu është dhënë veç dy ditë afatë për fushatë për ose kundër largimit të kryetarëve të komunave në veri.

Molliqaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook tha se “ngadalë do t’i kthehemi realitetit në tryezen e dialogut, me flamuj serb në veri”.

Tutje Molliqaj kritikoi edhe kryeministrin Kurti.

Postimi i plotë:

Nënshkrimet u verifikuan. Aventurave në veri po iu vjen fundi, ashtu siç e kemi paralajmëruar.

Tash ngadalë do t’i kthehemi realitetit në tryezen e dialogut, me flamuj serb në veri dhe militantë të ngopur nga era e përkohshme e shtetit aventurier.

Dallimi i vetëm është pozicioni i dobësuar dialogues karshi Serbisë, nga sanksionet dhe irritimet e aleatëve.

Aventurat e Kryeministrit i paguan Kosova në dialog me realizimin e Asociacionit.

Ndërsa sipas vendimit të KQZ-së, aktivitetet kryesore për organizimin e këtij procesi, i referohen afatit prej 44 ditësh dhe janë si në vijim:

1.            Fushata për ose kundër largimit të kryetarëve të komunave fillon më 19 prill dhe përfundon në orën 07:00 më 21 prill 2024;

2.            Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të OJQ-ve vendore, ndërkombëtare dhe mediave fillon më 01 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;

3.            Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 1 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;

4.            Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve bëhet më 17 mars 2024;

5.            Emërimi i Këshillave të Vendvotimit fillon më 10 prill dhe përfundon më 11 prill 2024;

6.            Publikimi i listës së qendrave të votimit bëhet jo më vonë se 16 mars 2024;

7.            Periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës fillon më 18 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;

8.            Afati për kundërshtimin dhe konfirmimin  e listës së votuesve fillon më 18 mars dhe përfundon më 5 prill 2024;

9.            Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 29 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;

10.         Certifikimi i Listës Votuese bëhet jo më vonë se 9 prill 2024;

11.         Periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon më 12 prill dhe përfundon më 20 prill 2024;

12.         Aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta dhe në institucione fillon 10 prill. dhe përfundon më 18 prill 2024;

Gjithashtu, në këtë mbledhje KQZ shqyrtoi dhe miratoi planifikimin buxhetor për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 Euro.