Mogherini: Për Ballkanin Perëndimor në Këshillin e BE në dhjetor

Ministrat e Jashtëm të BE do të diskutojnë situatën në Ballkanin Perëndimor në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të BE-së në dhjetor.

Kjo është bërë e ditur sot nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, pas debatit të ministrave të jashtëm të BE-së mbi gjendjen në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ajo vlerësoi se ministrat e BE nga takimi i sotëm në Bruksel dërguan tre mesazhe kryesore në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Kjo është ftesa për formimin e një qeverie sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi që rezultatet e zgjedhjeve janë bërë zyrtare. E dyta është të ketë fokusim 100 për qind në agjendën e reformave të cilën e presin shtetasit e Bosnjës, veçanërisht të rinjtë. Gjithashtu, është e nevojshme që Bosnja të përqendrohet në reformën e ligjit zgjedhor dhe shqetësimet që dalin prej saj”, tha Mogherini.

Ajo tha se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për përparimin e Bosnjë në të gjitha prioritetet e theksuara, transmeton KosovaPress.