Mogherini komenton aksionin e djeshëm të policisë në veri të Kosovës

Nëse ndihma e BE-së nuk përdoret në mënyrë të mençur sot, nëse e humbim këtë rast, e shoh rrezikun e forcave të errëta të së kaluarës të konfrontimit dhe të humbasim rastin e integrimit.

Kështu ka deklaruar përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, teksa ka komentuar ngjarjet e djeshme në veri të vendit.

Mogherini tha se ajo që ndodhi dje tregon për nevojën që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

“Ajo që ndodhi dje na tregon se Prishtina dhe Beogradi duhet të kthehen në tavolinën e dialogut dhe të pasojnë me marrëveshje obliguese. Ajo që ndodhi dje është përkujtues se të gjithë ne jemi për marrëveshje obliguese pasi i tërë rajoni përfiton. Është e vërtetë, fola për bashkëpunimin në rajon. E dimë dhe pajtohemi që tendencat e së kaluarës për konfrontim, ose për retorika që nuk janë bashkëpunuese, mund të dalin në çdo moment. Dhe, për këtë arsye them se jemi në një udhëkryq”, tha Mogherini, raporton Kosovapress.

Ajo ka ripërsëritur edhe njëherë thirrjen për heqjen e taksës së Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

“Si donatorë e dimë se është më mirë të bëhet biznes dhe jo luftë. Kosova dhe Serbia duhet të përkushtohen për një marrëveshje dhe nëse jemi tek kushtet, do të përsërisja që duhet të hiqet taksa 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës”, tha ajo.

Ajo u shpreh e bindur se një marrëveshje me Kosovën dhe Serbinë mund të ndodhë, teksa tha se për këtë është e gatshme që menjëherë të thërrasë një takim të dy palëve për dialog.