Modriq me kontratë të re te Reali

Mesfushori kroat Luka Modriq, ka arritur marrëveshje me drejtuesit e Real Madridit për rinovimin e kontratës, duke u dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij.

Gazeta spanjolle “Marca” ka bërë të ditur të enjten se Modriq me rinovimin e kontratës, do të jetë pjesë e Real Madridit deri në qershor të vitit 2021.

Mësohet se zyrtarizimi i rinovimit të kontratës do të bëhet në fund të këtij muaji.

Modriq 33-vjeçar, kishte kontratë me Real Madridin deri në vitin 2020. Ai këtë edicion ka shënuar katër gola dhe ka asistuar tetë herë në 46 ndeshje në të gjitha garat.

Modriq është pjesë e Realit prej vitit 2012 kur u transferua nga Tottenhami për 40 milionë euro. Modriq bëhet mesfushori i dytë pas Toni Kroosit që rinovon kontratën me Realin.