Modric synon të pensionohet te Real Madridi
Luka Modric ka thënë se dëshiron të i japë fund karrierës së tij si futbollist te Real Madridi, teksa e përfundoi dominimin 10 vjeçar të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në trofeun individual, Topi i Artë.
Modric u bë kroati i parë që e fiton Topin e Artë, ndërsa 33 vjeçari theksoi se dëshiron të pensionohet te “Los Blancos”, përkundër interesimit të Interit.
“Kam edhe dy vite tjera në kontratë dhe shpresoj se do të zgjati edhe për një tjetër. Klubi më ka dhënë shumë dashuri dhe unë dua që të pensionohem te Real Madridi. Familja ime është e kënaqur dhe gjithashtu edhe unë dua të vazhdoj të kënaqem te ky klub i madh”, u shpreh Modric.
Mesfushori kroat la prapa në vendin e dytë ish bashkëlojtarin e tij te Real Madridi, Cristiano Ronaldon, ndërsa më herët kishte fituar edhe çmimin e lojtarit më të mirë nga FIFA dhe UEFA.
Sidoqoftë, Modric ka zbuluar se do t’i shkëmbente të gjithë trofetë individual për Kupën e Botës, që dështoi ta fitojë verën e kaluar në Rusi, gjersa u mposht 4-2 në finale nga Franca.
“E kam thënë edhe më herët që do t’i dhuroja të gjithë trofetë individual për Kupën e Botës, të cilën fatkeqësisht nuk e fituam. Suksesi që e arritëm në Kupën e Botës ishte gjë e madhe për një vend të vogël si Kroacia. Është ndjesi e mirë që të paktën e kam fituar Topin e Artë”, përfundoi Modric.