Mobilizimi i AAK-së për ta rikthyer Ali Berishën në krye të Pejës

Tashmë kur kemi hyrë në 12 muajshin e fundit të qeverisjes lokale në Kosovë, partitë i kanë filluar përgatitjet për të garuar në zgjedhjet komunale që mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Subjektet politike janë në përzgjedhje të kandidatëve më të mirë për kryetarë komunash, derisa deri më tash duket se vetëm AAK-ja qëndron mirë sa i përket disa nga kandidatët për komuna.

Partia e Ramush Haradinaj është mobilizuar ditëve të fundit dhe ky mobilizim kryesisht shihet në Rrafshin e Dukagjinit. AAK-ja në zgjedhjet lokale i ka përcaktuar deri më tash zyrtarisht tre kandidatë: Bashkim Ramosajn, kryetarin aktual të Deçanit, i cili do të garojë edhe për një mandat, pastaj deputetin Bekë Berisha për Istog dhe ish kryetarin e Pejës, deputetin Ali Berisha si kandidat për kryetar të Pejës, shkruan Ballkani.info.

“Aleanca po i bën përgatitjet e fundit për rikthimin e Pejës dhe fitoren e Istogut që e konsideron të humbur padrejtësisht nga Gjykatat gjegjëse. Të dy Berishët (Ali Berisha dhe Bekë Berisha) duken të mobilizuar për fitore dhe prezenca e shumë strukturave, mobilizimi i rinisë po duket se i ka rritur dukshëm gjasat që AAK-ja të udhëheqë me keto dy komuna”, kanë thënë zyrtarë të AAK-së për Ballkani.info.

Ali Berisha e ka drejtuar Pejën si kryetar në mandatin  2008-2013, derisa Bekë Berisha kandidaton për herë të parë për Istogun. Në zgjedhjet e kaluara, kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj, edhe pse fillimisht u shpall fitues, më pas Gjykata vendosi që disa nga votat e ardhura nga jashtë mos të përfshihen në rezultatin përfundimtar duke ia dhënë kështu fitoren në tavolinë Haki Rugovës të LDK-së.

E Rugova kohëve të fundit po akuzohet për korrupsion.

AAK-ja aktualisht qeverisë me Klinën, Deçanin, Junikun, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën dhe Obliqin. /Ballkani.info/