MMPH-ja ndan një milion euro për rregullimin e shtratit Sitnica në Lipjan

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në vlerë prej rreth një milion eurosh, ka nisur projektin “Rregullimi i shtratit të Lumit Sitnica në Lipjan”, segmenti nga ura në Fshatin Rufc i vjetër deri në Fshatin Rubofc, në kuadër të të cilit parashihej edhe ndërtimi i kolektorit.

Gjatë së premtes, për t’i nisur këto punime ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, i cili midis të tjerash ka thënë se me kryetarin e komunës së Lipjanit janë dakorduar edhe për tre projekte të tjera kapitale që kanë të bëjmë me rregullimin e shtretërve të lumenjve në Magurë, Janjevë dhe Sllovi.

“Ministria e MMPH-së vazhdën e projekteve të infrastrukturës i fillon me projektin e lumit Sitnica në Lipjan. Kemi kaluar problemet emergjente, sfidat kryesore që i kemi pasur si vend. Me kryetarin Imri Ahmeti u dakorduam edhe për 3 projekte të tjera kapitale që kanë të bëjmë me rregullimin e shtretërve në Komunën e Lipjanit e që janë në Magurë, Janjevë dhe Sllovi. Tashmë kur nuk e kemi rrezikun e vërshimeve, ne do mundohemi t’i largojmë ujërat e zeza që tanimë grumbullohen në këtë kolektor”, ka thënë Matoshi.

Ai ka shtuar se së bashkë me Qeverinë gjermane dhe zvicerane po punojnë edhe për projekte të tjera, në projektin e madh të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën dhe rajonin e saj që përfshin edhe Lipjanin.

“Këto probleme nuk janë vetëm të kryetarit Ahmeti por edhe të ministrisë sonë. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në mesin e 70 projekteve të infrastrukturës në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë, të buxhetuara dhe të planifikuara për vitin 2019, ka edhe projekti i shtratit të lumit Sitnica”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se ky projekt, i cili kap vlerën e 1 milion eurove, është mjaftë i rëndësishëm për qytetarët e Lipjanit.

“Ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët e Lipjanit sepse është çështje ambientale po ashtu është jashtëzakonisht i nevojshëm edhe kolektori për trajtimin e ujërave të zeza që të ndërtohet përreth shtratit të lumit Sitnica me një kontratë me vlerë rreth 1 milion euro i cili është financim tërësisht i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor. Është një nga investimet më të mira të cilën e mirëpret Lipjani për shkak që deri tash Sitnica ka qenë ujëmbledhës i ujërave të zeza të kësaj pjese të territorit”, ka thënë Ahmeti.

Sivjet në Lipjan, sipas buxhetit të miratuar, do të fillojnë se realizuari edhe këto projekte: “Pastrimi i shtratit të lumit Sllovi- Lipjan” në vlerë prej 200 mijë euro, “Ndërtimi i shtratit të lumit Janjevë” në vlerë prej 400 mijë euro dhe “Ndërtimi i shtratit të lumit Magure” në vlerë prej 300 mijë euro.