MMPH-ja mbështet Skenderajn me një milion euro, Matoshi ndalet edhe në Prekaz

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka vizituar Komunën e Skenderajt dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit “Rregullimi i shtratit të lumit Klina”, i financuar nga MMPH.

Ministri Matoshi, u shpreh se si ditë e parë e punës si ministër, dhe jo më si ushtrues detyre, është kënaqësi që ta fillojë në Komunën e Skenderajt për të punuar për përmirësimin e kushteve të mjedisit.

“Lumi Klina, të cilin ne sivjet këtë segment e mbështesim me 200 mijë euro do të ketë ndikim në disa aspekte,do të parandalojë vërshimet e mundshme në këtë pjesë, do të ruaj biodiversitetin, do t’ia kthejë një pamje më të mirë gjithë kësaj pjese të lagjes së Spahiajve, por nuk është angazhimi ynë i vetëm. Po ashtu MMPH këtë vit mbështet edhe disa projekte të tjera, edhe katër projekte të tjera në një shumë rreth 1 milion euro në komunën e Skenderajt dhe në bashkëpunim me kryetarin edhe në vitin 2019 do të zhvillojmë projekte të rëndësishme të fushës së mjedisit këtu”.

Ai tha se problemet e qytetarëve të Skenderajt janë edhe probleme të MMPH duke shtuar se do tu japë zgjidhje aty për ta shndërruar këtë komunë në komunë atraktive.

“Skenderaj nuk është vetëm i qytetarëve të Skenderaj, por i gjithë qytetarëve të Kosovës, gjithë shqiptarëve. Secili prej nesh kthehemi këtu, kthehemi në Skenderaj, shkojmë në Prekaz, frymëzohemi, kujtojmë të kaluarën tonë dhe punojmë për të ardhmen e ndritur të vendit tonë”.

Bekim Jashari, kryetar i Skenderajt, tha se ky nuk është i pari projekt i financuar nga MMPH dhe se këto do të vazhdojnë.

“Është një projekt i rëndësisë së veçantë për qytetarët tanë, për komunën tonë. Një prej projekteve që MMPH e ka mbështet, që ka mbështet jo vetëm këtë, por edhe projekte në komuna te tjera”.

Matoshi, në fillim të mandatit të tij si ministër, zgjodhi të bëjë homazhe në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz, duke vënë edhe kurorë lulesh.