MMPH

MMPH investon në Suharekë rreth 500 mijë euro

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka vizituar komunën e Suharekës, me ç’rast është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bali Muharremaj,  me të cilin kanë diskutuar për projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ministri Matoshi dhe kryetari Muharremaj kanë përuruar fillimin e punimeve të projektit “Mbrojtja e ruajtja e ambientit hapësinor në rajonin e Suharekës- Bjeshkët e Sharrit”, që financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  në vlerë prej 448 mijë e 888 euro, raporton Ekonomia Online.

Ministri Matoshi tha se ky investim prej rreth 500 mijë euro në këtë projekt, krijon mundësinë në qasjen e bjeshkëve të Sharrit.

“Bjeshkët e Sharrit janë pasuri e jona, besoj që do u japim mundësinë bashkë edhe me kryetarin përmes ideve që i kanë dërguar tek ne.  Ministria e Mjedisit ka kënaqësinë që në këtë projekt investon rreth 500 mijë euro, të cilat përveç që krijojnë mundësinë në qasjen e Bjeshkëve të Sharrit.  Ky projekt i ofron një mundësi shumë të mirë rekreacioni fëmijëve të këtij vendi, banorëve të Mushtishtit dhe gjithë Suharekës por edhe turistëve që vijnë ta vizitojnë këtë vend. Besoj që punimet do përfundojnë ashtu siç janë të planifikuara dhe do përfundojnë gjatë këtij viti kalendarik””, ka thënë Matoshi, raporton Ekonomia Online.

E, kryetari i komunës së Suharekës,  Bali Muharremaj falënderoi ministrin Matoshi për investime në projekte në komunën e Suharekës duke përmendur një sërë investimesh në këtë vend.

” Nuk është ky projekti i parë i ministrisë së Mjedisit, shumë shpejtë brenda pak ditësh fillojmë edhe me shtratin e lumit Tuplluha prandaj edhe njëherë shpreh falënderim për ministrin Matoshi për bashkëpunim”, ka thënë Muharremaj.

Së bashku me kryetarin e komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, sot kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të tjerë nga komuna e Suharekës dhe ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.