Mero Baze

Mllefi i opozitës maqedonase mbi shqiptarët, “justifikon” veton greke dhe bullgare ndaj tyre

Nga Mero Baze

Në betejën për të bllokuar vendimin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut, për të pranuar propozimin francez që i jep fund vetos bullgare për hapjen e negociatave, opozita në Maqedoninë e Veritu vuri në shënjestër shqiptarët si faktor vendimtar për këtë “çnderim” që po i bëhej vendit. E bënë këtë fillimisht protestuesit e saj, më pas deputetë dhe në fund edhe kryetari i VMRO.

E vërteta është se Maqedonia e Veriut ka paguar një çmim të lartë dhe në disa raste absurd për të hequr pengesat në rrugën drejt BE nga fqinjët e saj jugor dhe lindorë. Greqia dhe Bullgaria si dy vende anëtare të BE me të drejtë vetoje, kanë bërë gjithçka që kanë pasur nevojë për të zhveshur Maqedoninë nga çdo mbivendosje e identitetit të tyre etnik, kulturor dhe historik. I kanë ndërruar emrin, tekstet e historisë ligjet e brendshme për pakicat dhe qasjen drejt origjinës së gjuhës.

Shqiptarët kanë qenë faktorë kompromisi në këtë pikë dhe e majta maqedonase i ka pasur ata aleatë në këtë betejë të dhimbshme.

Akuzat e opozitës se shqiptarët e bëjnë këtë se nuk u dhimbset shteti i Maqedonisë së Veriut dhe akoma më tepër trajtimi i tyre jo si pjesë e Maqedonisë së Veriut, por si kolonë që u kanë zënë derën, në një kohë që zyrtarisht janë rreth një e treta e popullsisë së vendit, dhe ende të getoizuar, në fakt i japin të drejtë Greqisë dhe Bullgarisë në veton e tyre brutale ndaj Maqedonisë së veriut, nëse ajo do të identifikohej me këtë mentalitet nacionalist që rrezaton opozita e saj.

Rruga drejt Bashkimit Evropian nuk është një rrugë që kalon nga i njëjti shteg që kalon dhe nacionalizmi ballkanas. Aq më tepër paqartësia e nacionalizmit bullgar i cili kur vihet në gojë të VMRO, të çon në Sofje, e kur vihet në gojë të ish- jugosllavëve të çon në Beograd . Por po u vu në gojë të shqiptarëve, çon një të tretën e tyre në Shqipëri.

Shqiptarët e Maqedonisë përkundër pozitës jo komode në shoqërinë e shtetit të Maqedonisë së Veriut, nuk e kanë përdorur nacionalizmin në këtë proces për të shkatërruar Maqedoninë. Shqipëria jo e jo.

E vetmja akuzë që i bëhet Shqipërisë nga ish partia e Gruveskit është që ka negociuar koalicionin properëndimor që çoi në largimin e Gruveskit nga pushteti gjashtë vite më parë. Edhe pse nuk është plotësisht e vërtetë, ajo nuk është një akuzë kundër aspiratave të Maqedonisë në Evropë, por një mbështetje për rrugën evropiane të saj.

Brutaliteti i akuzave mbi shqiptarët nga opozitarët e Maqedonisë së Veriut, rrezaton kulturën e tyre antievropiane, dhe më shumë se sa dëmtojnë shqiptarët, ata justifikojnë veton bullgare dhe atë greke më parë mbi ta. Përkundër kësaj shqiptarët atje dhe Shqipëria në anën tjetër janë bërë avokatët e aj duke lidhur fatin e tyre me fatin e Maqedonisë së Veriut në këtë proces.

Dhe ky proces mes të tjerash duhet t’i edukojë opozitaret në Maqedoni, të respektojnë shqiptarët si pjesë të vendit të tyre dhe si qytetarë të barabartë. Vetëm standardi i Bashkimit Evropian është garanci që i mban shqiptarët qytetarë të atij shteti. Çdo standard tjetër e zhbën historinë e atij vendi. Jo me letra e rezoluta si vetoja greke e bullgare. Por larg qoftë dhe më keq.