Mjekët ultimatum qeverisë: Nga java tjetër mund të bllokohet sistemi shëndetësor

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka thënë se nga java tjetër mund të radikalizohen masat e tyre ndaj qeverisë.

Ai ka thënë se vetëm për 8 muaj nga Kosova kanë ikur 122 mjekë mosha mesatare e të cilëve është 31 vjeçare, shkruan lajmi.net.

Më tutje ai gjithashtu ka thënë se do të presin edhe një javë dhe më tutje nuk garantojnë se nuk do të bllokohet sistemi shëndetësor.

“Siç po e shihni, pakënaqësia sociale ka filluar në Kosovë, z.kryeministër shpresoj që të më dëgjoni atje ku jeni lartë apo nuk jeni, vetëm sivjet, në 8 muaj të parë, kanë ikur 122 mjekë, e mosha mesatare e të cilëve është 31 vjeçare, kanë ikur me qindra e qindra infermierë, mosha mesatare zoti kryeministër e mjekut në QKMF është 57 vjeçare, z.kryeministër pas 10 vjetëve, pensionohen 1200 specialistë dhe kush do ta shërojë këtë popullatë, z.kryeministër reflektoni, ruani sistemin publik për të cilin jeni zotuar dhe e keni në program të qeverisë, nuk do të ketë largim të punëtorëve shëndetësorë vetëm jashtë Kosovës, por ata do të dynden jashtë sistemit publik e do të shkojnë në privat dhe këtë e paguan thjesht popullata që nuk ka pare me u shëru. Sot ju kam pritur këtu z.kryeministër duke ju njohur se e respektoni protesën dhe grevën por si duket nuk e keni atë guxim. Por duke dashur gjithmonë ta ruaj dinjitetin e shtetit, e më së shumti të punëtorit shëndetësor, neve në mënyrë simbolike, siç po i shihni ato papuçe që kanë mbetur të zbrazta e që do të mbesin ende sepse truri i Kosovës pas politikave të gabuara që po i bëni, do të shkojë. Neve edhe një javë do të presim, ndërsa që nga java e ardhshme nuk garantoj që do të fillojë me bllokimin e sistemit shëndetësor. Kjo është në dorën tuaj, ju e keni politikbërjen, ju i keni mjetet, ne i kemi vetëm trurin dhe duart.”, tha në fund Syla.