Mjekët nga Suedia operojnë pacientët në QKUK

Një ekip mjekësorë nga Suedia, i përbërë nga kirurgë plastikë dhe anesteziologë, po qëndrojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për t’i trajtuar pacientët kosovarë.

Në bashkëpunim me kirurgët nga Kosova, ata kanë kryer tri operacione mikrokirurgjike.

Drejtori i Kirurgjisë Plastike në QKUK, Zenë Buja, e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me kirurgët suedezë duke shtuar se përveç ndihmës profesionale, Suedia ka furnizuar edhe me pajisje mjekësore.

“Bashkëpunimi me mjekët suedezë daton që nga viti 2001 është një bashkëpunim shumë i mirë, shumë i suksesshëm, për arsye se ky ekip i mjekëve suedezë na ka ndihmuar shumë, si në aspektin e ngritjes sonë profesionale, po ashtu na kanë ndihmuar edhe me pajisje mjekësore”.

Ndërsa mjeku nga Suedia, Erkki Torpilla, ka folur rreth intervenimeve kirurgjike duke treguar edhe per aktivitetet që drejton ai.

“Qëllimi dhe misioni ynë është që të japim leksione për kolegët tanë kirurgë plastikë. Fillimisht kemi bërë konsultime për vështirësitë rreth rasteve të operimeve plastike. Gjithashtu, kemi bërë shumë vizita dhe kemi dhënë rekomandime për kolegët tanë se si të veprohet ose jo. Kemi kryer operacione ku kemi menduar se ka përfitime në aspektin edukativ”.

Mjekët nga Suedia do të qëndrojnë në Kosovë deri ditën e premte. Kjo qendër universitare ka pasur bashkëpunim edhe me klinikat e tjera të QKUK-së./kk/