Mitrovica e Veriut

Mitrovicë e Veriut: Atiq pishman, s’e mbyll “paralelen” 

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ua shtyri afatin serbëve për largim nga ndërtesa e komunës paralele veriore edhe për 14 ditë të tjera. Kjo mbase u bë edhe nga presioni ndërkombëtar për të mos eskaluar situatën.

Megjithkëtë, askush nga komuna veriore, nuk deshti të flasë për këtë çështje, ndonëse ekipi i Klan Kosovës tentoi të hyjë brenda ndërtesës dhe të marrë mendimin e zyrtarëve në lidhje me shtyerjen e vendimit.

Komentimi i kësaj çështjeje ndoshta edhe ishte i pamundur deri në atë kohë, meqë punëtorëve serbë nuk u pati shkuar ende vendimi në zyra, njofton Klan Kosova.

Megjithkëtë, kjo ndodhi pak para orës 16.00. 15 minuta para këtij orari, kryeinspektori Fatir Berzati bashkë me zyrtarë tjerë komunalë u nisën për në ndërtesën e famshme. Por, aty nuk gjetën askënd, e kjo situatë i zuri paksa në befasi.

Zgjidhja u gjet disi, vendimi u ngjit në derë të godinës, derisa inspektorët thanë se pas dy javë do të kryhet ajo që ishte e planifikuar të bëhet këtë të premtë.