Pothuajse të gjitha komunat shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni ndanë mjete financiare për të prekurit nga tërmeti që më 26 nëntor goditi Shqipërinë, në veçanti bashkitë e Durrësit dhe Fushë Krujës.
Madje, tri komuna – dy në Kosovë dhe një në Maqedoni – nuk dekoruan qytetet e tyre për shkak të ndihmave që dhuruan për qytetarët e Durrësit dhe Fushë Krujës. Tetova, Prizreni dhe Mitrovica, vendosën që paratë e planifikuara për zbukurimin e qyteteve, t’i ndanin për shqiptarët e prekur nga tërmeti.
Komuna e Tetovës i dhuroi për të prekurit nga tërmeti 25 mijë eurot e planifikuara për zbukurimin e qytetit. Të njëjtën e bëri edhe Komuna e Mitrovicës Jugore në Kosovë.
Ndërkaq, Komuna e Prizrenit ka anuluar tenderin për dekorimin e qytetit për fundvit për një arsye që ndërlidhet me ndihmën e shqiptarëve që përjetuan fatkeqësinë natyrore më 26 nëntor.
Prizreni këtë vit nuk do të ketë dekorim të tenderuar nga Komuna e Prizrenit dhe mjetet të cilët janë paraparë nga ky kod buxhetor janë përdorur për shpenzimet të cilat i kanë dalur të paplanifikuara Komunës së Prizrenit, për shkak të strehimit të qytetarëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri.Por, për dallim nga këto tri qendra, Bashkia e Durrësit ka vendosur të ndajë 42 mijë euro për dekorimin e qytetit, i cili ende po përballet me dëme materiale dhe pasiguri të banorëve.
Këtë veprim të Bashkisë së Durrësit e ka kritikuar ashpër edhe opozita në Shqipëri. Ina Zhupa, zëdhënëse e Partisë Demokratike, ka deklaruar javën e kaluar se vendimi për dekorimin e Durrësit është i gabuar.
“Standardi rilindas: Zbukurojne qytetin e Durresit 42 mije euro per festa, kur njerezit jane akoma rrugeve pa siguri, pa strehim! Ndërkohë, Mitrovica dhe Tetova vendosen te mos kishin dekor festash kete vit sepse parate e parashikuara per zbukurimin e qyteteve ja kane kaluar Shqiperisë”, ka shkruar Zhupa.
51 njerëz ndërruan jetë dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur nga tërmeti 6.4 shkallë të rihterit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.







