MIT: Rruga për në Brezovicë është duke u pastruar vazhdimisht

Pas raportimit në media se rruga për në Brezovicë pas reshjeve të borës, është bërë e vështirë për tu kaluar, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar për pastrimin e kësaj rruge, përcjell Ballkani.info.

Përmes një njoftimi, MIT ka bërë të ditur se kjo rrugë është duke u pastruar vazhdimisht deri tek qendra e skijimit.

Ndër të tjerash, në njoftim thuhet se rruga nuk ka qenë e bllokuar për qarkullim të automjeteve si pasojë e reshjeve.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se rruga në Brezovicë deri tek qendra e skijimit, është pastruar vazhdimisht nga bora, dhe nuk është bllokuar asnjëherë për qarkullim të automjeteve si pasojë e reshjeve. Kompania përgjegjëse dhe zyrtarë të MIT, janë në monitorim të kësaj zone, njëjtë sikur edhe të të gjitha rrugëve regjionale, nacionale dhe autostradave.

Arsyeja e kolonës së automjeteve në këtë rrugë është mungesa e parkingjeve pas fluksit të madh të qytetarëve, që të shtunën ia kanë mësyrë këtij vendi turistik. Prandaj edhe Policia e Kosovës gjendet aty për të drejtuar komunikacionin e dendur.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, kërkon nga qytetarët që përkundër rrugëve të pastruara të kenë kujdes në vozitje, veçanërisht në zonat malore, dhe të mos lëvizin pa pajisje dimërore me qëllim të evitimit të aksidenteve. /Ballkani.info