MIT i reagon Komunës së Drenasit: Në Komoran po vendosim rrethrrotullim të përkohshëm

Pasditen e së mërkurës, Pal Lekaj, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës, ka thënë se në autostradën që kalon nëpër fshatin Komoran të Komunës së Drenasit, do të hapet një rrethrrotullim. Ai madje ka larguar një bulon nga mbrojtëset e rrugës. Këtë veprim të Lekajt, Komuna e Drenasit po e sheh si tendencë për te fituar vota, ndërkaq policia ka thënë se është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër të tij është iniciuar rasti

Komuna e Drenasit nuk po e pëlqen veprimin e Lekajt. Përmes një njoftimi për media, zyra për informim e kësaj komune ka thënë se kjo është bërë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Fillimisht, për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit do të duhej të ndiqen procedura të nevojshme, si dhe të bëhen vlerësime nga ana e ekspertëve të komunikacionit, dhe se asnjë person, në asnjë rrethanë, nuk mund të marr vendime të kësaj natyre, pa respektuar në përpikëri legjislacionin në fuqi, ku në rastin e lartcekur nuk është prezantuar asnjë vendim, pëlqim apo leje”, thuhet në reagimin e komunës.

Po ashtu, Komuna e Drenasit thotë se Inspektorët Komunal kanë kërkuar të informohen nga Lekaj se a ka vendim për të hapur udhëkryqin, mirëpo ai iu është përgjigjur se mund të iniciojë kallëzim penal ndaj tyre.

“Për këtë çështje, duke marrë parasysh shqetësimin e qytetarëve tanë, Inspektorët Komunalë me mirëkuptim kanë kërkuar të informohen nga Ministri në largim, Pal Lekaj, se a ka vendim të kësaj natyre. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë hasur në bashkëpunim, dhe për më tepër ata kanë marrë kërcënime nga ana e Ministrit Lekaj, i cili iu është përgjigjur se mund të inicioj ‘Kallëzime Penale’ për inspektorët tanë”, theksohet në komunikatën e komunës së Drenasit.

Ndërkaq, para pak çastesh ka reaguar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, duke thënë se vendimin për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit e kanë marrë pas kërkesave të vazhdueshme nga banorët dhe bizneset vendase.

“MIT si gjithnjë ndjek të gjitha procedurat e parapara me ligj njëjtë sikur rastin në fjalë. Drejtoria e Menaxhimit të Rrugëve dhe Komisioni për vendosjen e rrethrrotullimeve kanë dhënë rekomandimin për vendosjen e një rrethrrotullimi në këtë zonë. Para vendosjes së atij të përhershmi, kompania projektuese e kontraktuar nga MIT po planifikon vendosjen e një rrethrrotulimi të përkohshëm, përmes së cilit do të testohet ndikimi që do të ketë ky ndryshim në komunikacion”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është përgjegjëse për rrugët publike nacionale, rajonale dhe autoudhët.

“I rikujtojmë komunës së Drenasit, se sipas Ligjit për Rrugët, MIT është përgjegjëse për rrugët publike nacionale, rajonale dhe autoudhët. Prandaj i bëjmë thirrje udhëheqësisë lokale që mos të shkaktojë panik me shpifje tek qytetarët e saj, për përfitime personale në këtë momentum”, theksoi MIT-i.

loading…