Misteret e balonave spiune

Nga George Friedman

Marrëdhënia midis kombeve është gjithnjë komplekse dhe nganjëherë e vështirë për t’u kuptuar. Ndonjëherë ajo hyn në fushën e të çuditshmes. Dhe më pas në nivelin më ekstrem, hyn në botën e balonave, objekteve të paidentifikuara dhe avionëve luftarakë F-22.

Siç thonë në Uashington, që të gjitha këto prodhojnë gënjeshtra dhe konferenca shtypi. Kjo situatë ndërlikohet nga fakti që fajtori i mundshëm, Kina, pretendon se vetë SHBA-ja ka shkelur të paktën 10 herë në territorin kinez me balonat e saj. Kjo është e mundur, por po ashtu ngre pyetjen se përse Pekini lejoi kaq shumë ndërhyrje pa e ngritur aspak zërin.

Sipas Pentagonit, vitet e fundit balonat spiune të Kinës kanë hyrë në hapësirën ajrore të më shumë se 40 vendeve të botës. Duke qenë se këto objekte fluturuese janë disi të dukshme nga toka, është e çuditshme që askush nuk i vuri në dukje, ose të paktën ta bënte këtë duke e ngritur zërin publikisht.

Pyetja tjetër është se çfarë kërkonin kinezët, por edhe amerikanët gjithashtu, nëse kundër-akuzat e Pekinit janë të sakta. Të dyja këto vende zotërojnë shumë satelitë spiunazhi, të konceptuar dhe përdorur për të përcaktuar vendndodhjet e avionëve dhe raketave me mbushje bërthamore, të pozicionuar enkas për të zbuluar në kohë reale lëshimin e raketave nga një vend armik.

Këta satelitë evoluan në sisteme, të cilat mund të zbulojnë një shumëllojshmëri të gjerë të objekteve në Tokë, si dhe disa që mund të zbulojnë sinjale elektronike. Sigurisht, duket se satelitët janë të dobishëm në misionin e tyre kryesor: Nuk ka pasur asnjë shkëmbim bërthamor.

Por, siç thanë shumë analistët, satelitët nuk mund të zbulojnë gjithçka. Qeveria amerikane nuk ka përshkruar gjithçka që kanë spiunuar balonat e dyshuar kineze, sjellje që është e kuptueshme. Gjithsesi kjo ngjarje më shtyn të pyes veten se çfarë objektesh shtesë kërkonte Kina dhe pse për këtë duheshin sisteme të ngadalta që fluturojnë në lartësi të mëdha.

Natyrisht, balonat nuk kishin për detyrë të zbulonin një sërë objektesh në kohë reale. Për të siguruar një mbulim të gjerë, një numër i madh i këtyre objekteve – ato duhet të quhen objekte dhe jo balona, ​​pasi ato drejtohen të paktën pjesërisht nga Toka – do të duhej të mbulonin qiellin, duke mbetur relativisht të palëvizshme (dhe krejtësisht të pambrojtura), duke transmetuar të dhëna në bazë.

Për këtë arsye ato janë të zbulueshme vizualisht dhe elektronikisht. Ato mund të kenë fotografuar më nga afër objektet në tokë të zbuluara më parë nga satelitët. Objektivat e tyre do të duhej të ishin statike për një kohë të gjatë, pasi balonat lëvizin shumë ngadalë.

Shumica e gjërave të tilla vëzhgohen më mirë nga njerëzit në makina ose akoma më mirë, nga shëtitja me biçikletë apo “ndërrimi i gomës” pranë një baze strategjike. Problemi që kam, është me imagjinimin e misionit që mund të mbikëqyrë këto objekte, një mision që do të ishte i padukshëm, që do të lejonte shëtitje pranë objektivit dhe që do të ishte në gjendje të shmangte zbulimin.

Mund të ketë disa objektiva shumë të specializuara, por flota që duket se kanë kinezët dhe që ata pretendojnë se e ka edhe SHBA, duket e tepërt për këtë detyrë. Një balonë kineze ishte mbi një bazë të Forcave Ajrore të SHBA-së, që është pa dyshim e ngarkuar me sekrete, por sa prej sekreteve do të ishin të dukshme ose të transmetuara në mënyrë të qartë?

Një mision teorik do të ishte shmangia e vëmendjes. Rusia është shumë më afër Alaskës sesa Kina. Ajo është e përfshirë në një luftë, ku Shtetet e Bashkuara kanë një rol shumë të madh, të cilin nuk mund ta nënvlerësojë. Në këtë kuadër zbulimi i një mjeti të madh dhe të çuditshëm që fluturon mbi Shtetet e Bashkuara mund të shkaktojë panik, dhe publiku kërkon me të drejtë që qeveria të fokusohet në mbrojtjen kombëtare dhe jo tek Ukraina.

Ekzistojnë 100 funksione devijuese, për të cilat mund të shërbejnë këto objekte për një kohë të kufizuar, edhe pse ky episod bart shumë panik dhe po kaq konfuzion.

Pyetja kryesore është se si ka mundësi që objekte kaq të mëdha dhe në lartësi, që lejojnë një shikueshmëri më të madhe, të kalojnë pa u vënë re, gjithnjë nëse janë të vërteta akuzat e SHBA-së dhe Kinës. Nga informacionet e disponueshme, balona lëviz me ritmin e një elefanti dhe mund të qëllohet me avion, raketë apo edhe më një palë “llastiqe”.

Ato duhet të jenë shumë të avancuara, gjë që do të shpjegonte arsyen pse qeveria e SHBA-së po i mban fshehur përgjigjet mbi këtë mjet. Nëse fshehtësinë e kërkon siguria kombëtare, atëherë duhet të jetë kështu. Por problemi është se qeveria amerikane po i rrëzon këto balona, dhe duke e ditur që në fillim se ato janë kineze, nuk është në gjendje të na thotë se çfarë gjeti në mbetjet e tyre.

Unë nuk besoj se këto pyetje mund të marrin përgjigje duke supozuar se aktorët përkatës janë budallenj ose tradhtarë. Objektet në fjalë kanë nevojë për shpjegim, dhe deri më tani janë të pakuptueshme. Ata që favorizojnë shpjegimet e bazuara tek marrëzia apo tradhtia janë të mirëseardhur. Unë preferoj të mendoj se nuk jam në gjendje të kuptoj të vërtetën komplekse. / “Geopolitical Futures” – Bota.al