Mishi i pulës, mishi i kuq dhe kërpudhat janë disa nga ushqimet që nuk duhet të lahen para gatimit

Edhe pse tingëllon e logjikshme që para gatimit duhet të lahet çdo ushqim, tek disa ushqime kjo sjell më shumë dëm sesa dobi.

Nëse deri më tani e keni larë gjithmonë mishin e pulës para gatimit, është koha ta braktisni këtë shprehi. Ekspertët theksojnë se larja e mishit të pulës nuk e zgjidh problemin e baktereve dhe patogjenëve, por ajo i shpërndan ato në duar dhe pecetat e kuzhinës.

“Përmes larjes së mishit të pulës me siguri do t’i përhapni bakteret nëpër të gjithë kuzhinë, duke përfshirë edhe sipërfaqet e pastra si qeramikat dhe pecetat e kuzhinës”, theksojnë ekspertët.

E vetmja mënyrë efektive për t’i eliminuar bakteret është gatimi, dhe ky rregull vlen edhe për peshkun dhe mishin e kuq. Ekspertët këshillojnë që mishin përfundimisht ta fshini me peshqir letre për ta larguar lagështinë e tepërt, por gjithsesi edhe pas kësaj dezinfektojeni lavamanin dhe sipërfaqen e punës.

Përveç kësaj, mos i lani kërpudhat, sepse në kontakt të gjatë me ujin ato mund të ndryshojë në aspektin e shijes dhe konsistencës. Më mirë është t’i shpëlani dhe t’i thani me një pecetë letre në mënyrë që të mos e humbasin elasticitetin e tyre dhe të mos jenë të qullëta.

Vezët janë gjithashtu një nga ushqimet që kurrë nuk duhet t’i lani. Ekspertët theksojnë se në vezë shpesh vendoset një substancë mbrojtëse e cila e pengon ndotjen bakteriale ndërsa uji e shkatërron këtë mbrojtje.

Shumë njerëz gabojnë, sepse pas gatimit i lajnë makaronat, por kjo është e gabuar, sepse uji në të cilin zihen makaronat përmban niseshte dhe kontribuon në shije.