Mirena: VV-ja me publikimin e gjashtë emrave ia dha shpullën e radhës LDK-së

Analisti politik, Ilir Mirena, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje me publikimin e gjashtë emrave sot ia ka dhënë shpullën e radhës Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Mirena ka theksuar se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, VV nuk do të dalë e palënduar për krejt këtë zvarritje dhe zhgënjim të votuesve.

“Publikimi i gjashtë emrave nga VV sot ka qenë një shpullë e radhës që ia ka dhënë LDK-së. Nëse kthehemi në retrospektivë, të gjitha deklarimet e VV-së duken të kenë qenë një fushatë zgjedhore që me mashtrim e ka krijuar iluzionin se VV i ka fituar 50 për-qind të votave të 6 tetorit”.

“VV me atë makinerinë e saj propagandistike ia ka dalë ta krijojë përshtypjen sikur i kanë fituar mbi 50 për-qind të votave dhe e ka krijuar përshtypjen se është LDK-ja ajo që po paraqet pengesa në krijimin e Qeverisë së re”.

“Kjo është bërë me qëllim dhe ka persona brenda VV-së që besojnë se nëse shkojnë në zgjedhje të reja, ky subjekt politik do të jetë fitues absolut. Unë nuk besoj kështu sepse nëse kemi parasysh skenën politike, VV duhet ta kuptojë që partitë tjera nuk do të rrinë duarkryq”.

“Edhe LDK ka se çfarë të thotë, kështu që në zgjedhjet e ardhshme [nëse mbahen], VV duhet ta ketë parasysh se nuk do të dalë e palënduar për krejt këtë zvarritje dhe zhgënjim të votuesve”.

“Sjellja e VV-së ndaj LDK-së ka qenë jashtëzakonisht jokorrekte dhe deri në një farë mase edhe poshtëruese. Të gjitha veprimet që i ka bërë VV-ja përgjatë këtyre tre muajve ka qenë tendencë për ta minuar mundësinë e krijimit të një Qeverie”.

“Kurti duke i pasur parasysh sfidat që e presin kryeministrin e ardhshëm e ka vërejtur se dalja si fitues i këtyre zgjedhjeve nuk i ka ardhur në kohën e duhur”./Ballkani.info/