Mirena: Ngazëllimi i pushtetit për dronët e Turqisë, krejt naiv dhe qesharak

Gazetari Ilir Mirena ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të dielën se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.

Ndonëse Kurti nuk ka bërë të ditur sa dronë janë blerë dhe as buxhetin e ndarë për ta, Mirena tha se “ngazëllimi i pushtetit për dronët e Turqisë” është “krejt naiv dhe qesharak”.

“Nëse nuk ka vullnet dhe sakrifice te qytetarit për mbrojtjen e vendit te vet, dhe nëse vendi nuk është pjese e aleancave te fuqishme, krejt armatimi i botes nuk t’kryen pune. Janë dy shembuj eklatante te dy vendeve, te cilat për dekada me radhe ishin armatosur deri ne dhemb – Shqipëria dhe ish-Jugosllavia”, shkroi ai në Facebook.

Sipas tij, këto dy vende, pjesën dërrmuese të buxhetit e shpenzonin në armatim.

“Bile, per ish-Jugosllavine spekulohej se ishte fuqia ushtarake e treta apo e katerta ne Europe. Çka i pat kry pune gjithe ai armatim ketyre dy vendeve? Bash burgja hiç.
Kundër kujt ishte përdorur gjithë ai armatim? Vetëm për t’u masakruar dhe hanger kryet njani-tjetrit”, shtoi ai.

“Shqipëria ne mase me te vogël, me 1997’ten, por luftërat ne ish Jugosllavi mbesin me te tmerrshmet qe ishin kryer ne territorin e Evropës pas Luftës se Dyte Botërore. Krejt këto ishin kryer me armët qe ishin blere për dekada kundër një armiku te jashtëm, qe nuk u erdhi kurrë”, përfundoi ai.