Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani kanë mbajtur një tubim të madh politik në Prishtinë, ku lideri i Lidhjës Demokratike të Kosovës e cilësoi bashkimin me Osmanin si “fillimin e valës më të madhe politike që ka parë Kosova ndonjëherë”.
Në një fjalim të gjatë dhe emocional para mijëra mbështetësve, Abdixhiku deklaroi se vendi ka hyrë në një moment të ri politik, duke e përshkruar tubimin si nisje të një “lëvizjeje të madhe shprese për Republikën e Kosovës”.
Ai tha se Kosova është lodhur nga krizat politike, përçarjet dhe tensionet e vazhdueshme, duke kërkuar një frymë të re bashkimi dhe bashkëpunimi.
“Po vijmë më të fortë, më të bashkuar dhe më të përkushtuar se kurrë më parë”, deklaroi Abdixhiku, ndërsa theksoi se qytetarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik, demokraci funksionale dhe përfaqësim dinjitoz ndërkombëtar.
Një pjesë e madhe e fjalimit iu kushtua rikthimit politik të Vjosa Osmanit pranë LDK-së. Abdixhiku e quajti këtë moment “kthim në shtëpi”, duke thënë se ndarjet politike të së kaluarës duhet të tejkalohen për hir të Republikës.
“Kjo nuk është vetëm bashkim politik. Ky është kthim në shtëpi. Mirë se erdhe Vjosë në shtëpi”, tha ai mes brohoritjeve të të pranishmëve.
Kreu i LDK-së kritikoi ashpër kulturën aktuale politike në vend, duke akuzuar qeverisjen për krizë të vazhdueshme, mungesë kompromisi dhe izolim diplomatik.
Sipas tij, Kosova nuk mund të zhvillohet pa investime madhore, pa stabilitet institucional dhe pa rikthimin e partneritetit të fuqishëm me aleatët ndërkombëtarë.
Në fund të tubimit, Abdixhiku e prezantoi Osmanin si “kandidate për Presidente dhe Presidente e ardhshme e Republikës së Kosovës”, duke e cilësuar këtë moment si fillim të një etape të re politike për vendin.







