Miratohen emrat për bord të AKP’së, deputetja e LDK’së kritikon Vetëvendosjen: Jeni bërë Pronto 2

Me debat e përplasje verbale mes deputetësh është përcjell mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku përkundër kësaj, u miratua lista e emrave të propozuar nga qeveria për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Deputetët e opozitës kritikuan Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se janë bërë arrogant me numrat dhe se përkundër qëndrimeve të tyre po i miratojnë të gjitha vendimet pa përfillur qëndrimet e opozitës.

Kryetari i komisionit, Ferat Shala tha se është për emërimin e këtij bordi, porse tha se pikërisht kryesuesi i këtij bordi, Nazmi Mikullovci ka konflikt të madh interesi.

Kjo pasi sipas tij, pikërisht në periudhën e Mikollvocit është harruar një minierë në komunën e Podujevës kur është bërë regjistrimi i aseteve pasluftës, e që siç tha Shala, edhe sot ka probleme të mëdha juridike si shkak i këtij gabimi.

“Problemi esencial dhe politik dhe ekonomik për mua është që saktësisht kryesuesi i propozuar nga qeveria Kurti ka konflikt të madh interesi me pozicionin që pretendon ta merr nga Kuvendi i Kosovës. Duhet të jemi të hapur dhe të sinqertë që ky proces i AKP-së dhe sektorit minerar në veçanti ka një histori të veten nga periudha e pasluftës e deri më sot. Kandidati i propozuar ka punuar 7 vite të plota në ndërmarrjen Trepça, e thotë në CV e tij, periudha që konsideroj që është dëmtuar rëndë Trepça”, tha ai.

Kurse deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku – Rexhepi, tha se njëherë është dashur të sillej plotësim-ndryshimi i ligjit dhe jo emrat puro-politik për bordin.

Ajo adresoi kritika për Lëvizjen Vetëvendosje për çka sugjeroi që të ndërroj emrin në “Vetëkapje”, pasi sipas saj kjo e fundit ka kapur shtetin.

“Tani po emëroni një bord puro-politik, ndërsa keni ardhur në pushtet me kauzën kundër ‘pronto 1’, tash jeni bërë ‘pronto 2’. Nuk është absolutisht fjala këtu as për profesionalizëm, as për njerëz që po kryejnë punën me sukses. Ku keni ardhur në pushtet me kauzën për çkapjen e shtetit, po e kapni shtetin jashtëzakonisht fort, krejt dhe drejt ju. Këto janë borde që po i emëroni puro – politik, ku bash të gjithë ata që kanë qenë në listën e kandidatëve për deputetë apo militantët tuaj qenkan profesionistë. Por, kjo është mirë, që qytetarët me kuptu mirë dhe drejt dhe ju kisha rekomandu Vetëvendosjes me ia ndryshu ‘Vetëkapje’ sepse ‘Vetëvendosje’ s’ka të bëjë me vetëvendosjen”, tha ajo.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, u shpreh se anëtari i bordit në AKP duhet të jetë dikush që shtynë përpara politikat e majta.

“Nuk mund të jesh anëtar i bordit në AKP në rast se nuk beson konceptualisht në paradigmën ekonomike që e propozon Lëvizja Vetëvendosje. Në këtë rast, unë mendoj që çfarëdo që do të prodhonte qeveria, ata do të duhej fillimisht të pajtoheshin me programin e Lëvizjes Vetëvendosje për Agjencinë e Privatizimit. Nazmi Mikullovci është një prej figurave dhe njerëzve më të mirë që ka pasur miniera Trepça”, tha Muja teksa shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur të bëjë fare me procesin e shkatërrimit të ndërmarrjes Trepça, raporton KP.

Një gjë të tillë e kundërshtoi kryetari i komisionit, Ferat Shala, i cili tha se kjo është e pasaktë. Ai tha se politikisht gjithmonë kanë pasur pengesë konceptin ekstrem majtist që e ka trajtuar çështjen e minierave si në të shkuarën.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj pyeti për afatin e shuarjes së AKP-së, derisa shtoi se nuk mund të votojë pro këtij bordi përderisa nuk fillohet me plotësim-ndryshimin e ligjit.

Ai tha se tha se pajtohet me Lëvizjen Vetëvendosje që t’i shtyjë përpara politikat e veta me njerëz te saj, e që janë nga e majta, por kërkoi nga ta që të mos kritikojnë ish-qeveritë.

“Më vjen shumë mirë që e pranon që duhet me qenë i Vetëvendosjes për me i shty ato politika. Këtu po pajtohem. Por, mos thoni që nuk janë të Vetëvendosjes. Por mendoj që paraprakisht, para se me ardh ky bord, është dashur me ardh me inicim të plotësim të ndryshim-plotësimit të ligjit. Përndryshe, len për të dëshiruar që po shkojmë në mbyllje sepse ka shumë probleme, si do t’i qaset bordi 70 mijë lëndëve në gjykata. Doni me shku në bankrotim të shtetit. Mos thoni që keni me shku me implementim të politikave të qendrës së majtë, me këta njerëz jo, 78 vjeç është, duhet me pas energji”, tha ai.