Qeveria e Kosovës

Miratimi i strategjisë për luftimin e korrupsionit shihet si domosdoshmëri

Kosova, që nga viti 2017 nuk ka një strategji të re për luftimin e korrupsionit. Një dokument i tillë po vlerësohet i nevojshëm nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe organizata të shoqërisë civile. Nga Qeveria nuk kanë treguar se kur pritet që Kosova të bëhet me strategji të re për luftimin e korrupsionit.

Koalicioni i organizatave jo-qeveritare IKD, FOL dhe INPO, organizuan Javën Kundër Korrupsionit, nga data 5 e deri më 9 dhjetor. Në raporte të ndryshme të publikuara nga këto organizata, theksohet efikasiteti i pamjaftueshëm i Qeverisë dhe institucioneve të tjera në luftimin e korrupsionit, që prej vitesh është problem kyç i Kosovës.

Kosova, që nga viti 2017 nuk ka një strategji për luftimin e korrupsionit. Juristi Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se është e paarsyeshme vonesa e qeverisë Kurti në miratimin e një strategjie të tillë.

“Janë tri vite prej kur ka ardhur në pushtet kjo qeveri e ne ende nuk kemi strategji për luftimin e korrupsionit, përmes të cilës do të tregonte se cila është rruga, cilat janë veprimet, cila është kahja e qeverisë në drejtim të luftimit të korrupsionit? Pra, po flasim për një nga premtimet kryesore të kësaj qeverie”, tha Shala.  

Domosdoshmërinë e miratimit të strategjisë kundër korrupsionit e thekson në një intervistë për Radio Kosovën edhe drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Mos miratimi i strategjisë në fjalë nuk është dështim vetëm i kësaj qeverie, por edhe i atyre paraprake, pohon Yll Buleshkaj, i cili beson se sivjet Kosova do të bëhet me strategji të re.

“Strategjia mundëson orientimin strategjik të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Nuk mund të ketë luftim të korrupsionit nëse nuk zhvillohen kapacitetet dhe nuk u jepen burimet e caktuara prokurorisë, policisë apo edhe Agjencisë për parandalimin e korrupsionit. Besoj se deri në fund të vitit, ashtu siç kemi informata, ne do të kemi strategjinë. Ne pastaj do të jemi të obliguar të bëjmë monitorimin e zbatimit të saj dhe për këtë të raportojmë në Kuvendin e Kosovës. Por, dua ta them edhe një herë se, strategjia nuk do të mund të bëjë mrekulli”, tha Buleshkaj. 

Radio Kosova ka pyetur Qeverinë se kur pritet që Kosova të bëhet me strategji të re për luftimin e korrupsionit, por, përkundër pritjes, deri në përgatitjen e këtij materiali, nga kryeministria nuk kanë kthyer përgjigje.

VIDEO BONUS: Memli Krasniqi viziton shkollën “Ali Asllani”, që u harrua nga Qeveria Kurti