MINT

MINT konfirmon heqjen e masës antidamping për koncentratin nga Serbia

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka konfirmuar raportimet se ka marrë vendim ditë më parë për heqjen e masës mbrojtëse antidamping për koncentratin për kafshë e shpezë, që origjinë ka Serbinë.

Në arsyetimin e kësaj ministrie që e drejton Rozeta Hajdari, thuhet se prodhimi vendor nuk e mbulon kërkesën vendore, andaj edhe është marrë vendimi për rihapje të rrugës të prodhimeve serbe.

“Në bazë të dhënave të marra në teren nga prodhuesit, importuesit si dhe nga pikat shitëse, është konstatuar se prodhimi vendor nuk e plotëson kushtin kryesor për mbrojtje me masën antidamping, sepse sasia e prodhimit vendor të këtij produkti është më e vogël se (50%) e prodhimit total të produktit të ngjashëm. Pra, prodhimi i këtij produkti nuk e ka plotësuar për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese”, thuhet në njoftim

“Sipas ASK dhe AUV, në Kosovë janë vetëm 2 prodhues të licencuar për prodhimin e koncentrateve për shpezë dhe kafshë, gjë që rezulton me mos përmbushje të nevojave të tregut në Republikën e Kosovës me produktet përkatëse, prandaj mbi këtë bazë Komisioni Ndërqeveritar i lartcekur ka rekomanduar ndërprerjen e kësaj mase”.