dhurata hoxha

Ministrja Hoxha ripohon rëndësinë e përkrahjes së Çekisë për Kosovën

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti sot të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Çekisë në Kosovë, z. Pavel Bilek, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit dhe procesin integrues.

Çekia ka qenë përkrahëse e vazhdueshme e shtetësisë së Kosovës, potencoi ministrja Hoxha, e cila vlerësoi edhe përkrahjen e fundit në Parlamentin Evropian dhe Interpol, me votën pro të këtij vendi mik.

“Ne sot gjendemi para një sfide të re, sfidës së liberalizimit. Përkundër realizimit të të gjitha kushteve për liberalizim, ne mbesim i vetmi vend i privuar nga e drejta themelore, lëvizja e lirë”, citon njoftimi për media, nga ky takim, ministren Hoxha, e cila ka shtuar se ish vendet me diktaturë komuniste e kuptojnë më së miri ndjenjën e izolimit, kufizimit dhe procedurave të pakufishme për qytetarët për një vizë.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Çekisë, z. Bilek, vlerësoi lartë plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizim dhe rikonfirmoi përkrahjen e Çekisë në të gjitha proceset që po kalon Kosova, me theks të veçantë, procesin integrues, reformat nga Agjenda Evropiane si dhe dialogun si një nga vlerat e Bashkimit Evropian.

Ministrja Hoxha dhe Z. Bilek, u dakordësuan se Kosova dhe Çekia kanë vullnet dhe gatishmëri të thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, duke marrë përvojat integruese, përkrahjen për Kosovën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por edhe bashkëpunimin e gjithanshëm, si dy vende mike.