Afër 12 mijë euro i kushtoi buxhetit të shtetit vetëm pagesa që Ministria e Drejtësisë i ka bërë për karburant në gjashtë muaj të raportuar, siç shihet nga të dhënat zyrtare të këtij institucioni.
Ministria e Drejtësisë ka publikuar raportet e plota mbi shpenzimet e kryera me kompani të ndryshme të vendit dhe detyrimet që i ka pasur ndaj tyre.
Kjo ministri përmes një raporti të përgatitur çdo dy javë ka dokumentuar shpenzimet që i bëri çdo muaj, duke përfshirë edhe ato të karburantit.
Në të dhënat që Demokracia.com i ka krahasuar nga ky raport, shihet se më datë 30 prill të këtij viti, Departamenti për Financa dhe Shërbim të Përgjithshëm shpenzoi 322 euro për karburant.
Nga kabineti i ministres Albulena Haxhiu, po me këtë datë, u shpenzuan 211 euro për karburant, derisa avokatura shtetërore shpenzoi 661 euro për të njëjtën arsye.
Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar u furnizua me karborant për 39 euro.
Shërbimi Sprovues i Kosovës po me këtë datë shpenzoi 443 euro për karburant, ndërsa menjëherë ditën e nesërme gjithsej 702 euro, sërish për karburant.
Instituti i Mjekësisë Ligjore më 30 prill i pati shpenzimet më të larta se departamentet tjera dhe vlera u arriti në 825 euro.
Po me këtë datë, strehimorja për VKT shpenzoi vetëm 33 euro, ndërsa Inspektorati i MD-së shpenzoi 41 euro për karburant.
Sipas këtyre të dhënave vetëm në muajin prill kjo ministri shpenzoi 3 mijë e 277 euro.
Sipas të dhënave që i posedon Demokracia.com, Ministria e Drejtësisë në muajin maj nuk ka raportuar fare për shpenzimet që i pati në kompaninë e derivateve.
Ndërkaq, më 30 qershor, Departamenti për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme nga kjo ministri shpenzoi 161.52 euro për karburant për vetura, e po me këtë datë, zyra e ministres Haxhiu ndau 173.79 euro për shpenzimet që pati ndaj kësaj kompanie.
Inspektorati i kësaj ministrie, po në këtë datë, shpenzoi plot 142.10 euro.
Nga Departamenti për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, me këtë datë shpenzuan 30.67 euro.
Departamenti tjetër i kësaj ministrie, Departamenti i Mjekësisë Ligjore, shpenzoi 881.90 euro në karburant, ndërsa Shërbimi Sprovues i Kosovës shpenzoi 376.21 euro.
Shpenzimet e bëra me datën 30 qershor nga Ministria e Drejtësisë për karburant arritën vlerën e 1 mijë e 766.19 euro.
Vetëm për karburant të automjeteve, Ministria e Drejtësisë pati mjaft shpenzime edhe në muajin korrik, raporton Demokracia.com.
Më 31 korrik, Departamenti për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, shpenzoi 492.70 të cilat i pagoi më 25 gusht.
Nga zyra e ministres Albulena Haxhiu, në po këtë kompani, më 31 korrik, u furnizuan me karburant që arriti vlerën e 278.62 euro, të cilat gjithashtu u paguan më 25 gusht.
Inspektorati i kësaj ministrie shpenzoi 99.90 euro, ndërsa për Avokaturën Shtetërore u paguan 624.99 euro për karburant.
Po me këtë datë nga Shërbimi Sprovues i Kosovës u shpenzuan 618.85 euro, të cilat u paguan më 14 shtator.
Nga Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, vlera e shpenzimeve për karburant arriti në 48.52 euro.
Muaji korrik u përmbyll me 2 mijë e 163.48 euro shpenzime për karburant vetëm për Ministrinë e Drejtësisë, raporton Demokracia.com.
Nga Instituti për Mjekësi Ligjore, më datën 31 gusht vlera e karburantit që u shpenzua kapi 616.43 euro, të cilat i pagoi më 11 tetor.
Dallim me muajt e tjerë, muaji gusht kur shumica zyrtarëve rezervojnë pushimet, nuk ishte pushim edhe për departamentin e Institutit për Mjekësi Ligjore.
Gjatë kësaj kohe, ky institucion për karburante shpenzoi mbi 600 euro.
Më 30 shtator nga Instituti për Mjekësi Ligjore u shpenzuan 807.37 euro për derivate.
Po me këtë datë Inspektorati i MD-së shpenzoi 157.75 euro, ndërsa Avokatura Shtetërore shpenzoi 853 euro.
Sipas të dhënave që i ka siguruar Demokracia.com, muaji shtator rezultoi me 1 mijë e 818.12 euro shpenzime në karburant për Ministrinë e Drejtësisë.
Në muajin tetor, nga departamenti i Avokaturës Shetërore u arrit kulmi i shpenzimeve për derivate, vlerë kjo që shkoi në 903.59 euro, të cilat u paguan më 7 dhjetor, raporton Demokracia.com.
Departamenti për Bashkëpunim Juridik dhe Ndërkombëtar shpenzoi 53.05 euro, po në këtë datë, të cilat i pagoi më 3 dhjetor.
Shërbimi Sprovues i Kosovës në këtë datë shpenzoi 899.27 euro për derivate, ndërsa nga Instituti i Mjekësisë Ligjore u shpenzuan 896.07 euro.
Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, në tetor shpenzoi 175.30 euro.
Shpenzimet e ministrisë për derivate në muajin tetor arritën vlerën e 2 mijë e 927.28 euro.
Pra, sipas të dhënave të krahasuara nga Demokracia.com, Ministria e Drejtësisë për gjashtë muaj të raportuar ka shpenzuar 11 mijë e 952 euro vetëm në karburant.





























