Ministrja Hajdari suspendon edhe një drejtor të Agjencisë së Pavarur. A po tenton t’i mbush këto pozita me militantë të VV-së?

Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) deri më tash ministrja Rozeta Hajdari ka ndërruar dhe larguar pothuajse të gjithë drejtorët e Agjencive të Pavarura.

Ditë më parë ministrja Hajdari ishte raportuar se kishte suspenduar Drejtorin e Agjencionit të Meterologjisë në mënyrë të kundërligjshme, tani ka vazhduar me eliminime të stafit, duke zëvendësuar me drejtorë militantë.

Nga dokumentet që ka siguruar redaksia jonë Ministrja Hajdari ka suspenduar Drejtorin e Agjencisë Kosovare për Standardizim (AKS) derisa i njëjti ishte në pushim mjekësor, duke u shëruar nga COVID 19.

Betim Reçica u pezullua nga ministrja Hajdari në kohën kur ishte me COVID, paraqet fakte se pse mungoi 5 ditë në punë. Por në bazë të një vendimi zotëri Reçica pritet që të ushtroj pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit (vendimi nr.02284779).

Në vendimin e publikuar të premten nga MINT mbi suspendimin e Reçicës nuk përmenden shkaqet që kanë çuar në këtë pezullim, por Ballkani.info ka siguruar një përgjigje që Reçica i ka dërguar ministers Hajdari dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe adresa tjera.

Ministri Sveçla është kryesues i Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Displinë. 

Në emailin e dërguar si përgjigje, Reçica thotë se e ka pranuar njoftimin se për procedurë disiplinore për mosprezencë mbi 5 ditë në punë. 

“Nga ky informacion kuptova se gjatë përiudhës derisa kam qenë në trajtim shëndetësor Covid 19 dhe post Covid paskam munguar 5 ditë punë, ju në vend të interesoheni për shëndetin e stafit profesional dhe të paktën të interesoheni për të ditur se si jam paskeni filluar procedurë disiplinore, duke shfrytëzuar rrethanat e sëmundjes me COVID 19. Kjo është shkelje e rëndë drastike e lirive dhe të drejtave të njeriut, që garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ashtu siç keni qenë të informuar përmes emailit zyrtar si dhe nga stafi i AKS-së që nga fundi i muajit tetor deri më tani kam pasur një betejë me COVID 19. Më të kuptuar se jam prekur nga virusi Covid 19, menjëherë kam marrë masat e karantinimit dhe trajtimit të këtij virusit të rrezikshëm”, thekson Reçica.

Ai tutje në email thotë se ata kanë qenë të njoftuar përmes personelit si dhe përmes zyrtarit zëvendësues Bujar Istogu se është në gjendje të rëndë shëndetësore si shkak i COVID 19.

Sipas Reçicës, ai ka dorëzuar në personel edhe raportet mjekësore. 

“Prandaj kërkesa juaj për komision disiplinor është tërësisht e paarsyeshme dhe praktikë eliminuese të kuadrove nga institucionet shtetërore. Për periudhën që ju theksoni se nuk kam qenë në punë është për arsye se kam qenë i shtrirë me terapi dhe nuk kam mund të jem prezent në zyre, kjo për faktin se do të përbënte një rrezik potencial të shpërndarjes së virusit tek stafi me të cilin punojë. Andaj duke qenë i vetëdijshëm për këtë rrezik jemi treguar të përgjegjshëm në ndërmarrjen e masave profilaktike shëndetësore në kufizimin e shpërndarjes së sëmundjes. Kjo sjellje madje inkurajohet edhe me metodat ligjore dhe mjekësinë profesionale me të cilën jam konsultuar”, thuhet tutje në përgjigjën e Reçicës. 

“Ndërkaq në lidhje me pikën tjetër përmes së cilës keni ngritur shkresën në Këshillin për Vlerësim dhe Disiplinë, duke thënë se unë nuk kam qenë në punë, kjo është tërësisht e pasaktë. Për faktin se ju keni të deponuar emailat dhe të gjitha raportet. Ju asnjëherë nuk keni nxjerrë ndonjë qarkore apo mbajtur mbledhje të rregullt me drejtorët e Agjencive, ashtu siç është praktikë, qoftë në baza mujore, apo javore. Të vetmin takim që keni mbajtur është takimi kur së pari keni thirrur stafin tim të AKS, pastaj më keni njoftuar mua si kreyeshef i AKS. Njoftimin e keni bërë me telefon 30 minuta para mbledhjes dhe nuk keni dërguar asnjë email paraprak në lidhje me takimin temën apo ndonjë çështje tjetër për të cilën do duhej të bashkëpunonit me stafin. Sa i përket vijueshmërisë asnjëherë nuk keni dërguar ndonjë email apo vërejtje për ndonjë parregullësi. Vijueshmëria ime në zyre çdoherë ka qenë në rregull dhe me përgjegjshmëri të lartë. Në lidhje me raportimet i kemi të gjitha emailat zyrtar ku kemi raportuar sipas Ligjit. Madje edhe gjatë sëmundjes me COVID kemi raportuar përmes zëvendësit Bujar Istogu”, thekson tutje Reçica në letrën e tij. 

Në këtë letër, Reçica i përmend edhe, siç thotë ai, disa nga të arriturat dhe sukseset nga shkuarja e tij në AKS, edhe përkundër faktit se ka qenë një kohë të gjatë situata me pandeminë COVID 19.

Të arriturat e përmendura nga Reçica:
–         Me të pranuar detyrën kam ngritur nivelin e cilësisë së punës në AKS, duke krijuar kushte më të mira të punës.
–         AKS-në kemi gjetur një gjendje kaotike, madje as tabelë identifikuese të institucionit në hyrje të ndërtesës nuk ka pasur.
–         Motivimi i zyrtarëve është rritur dukshëm dhe adoptimi i standardeve është rritur mbi 40%, krahasuar me periudhën paraprake.
–         Kualiteti i zbatimit të praktikave ligjore dhe kontrollueshmëria e standardeve ka pasur ngritje të dukshme.
–         Siç jeni të informuar edhe ju që nga Muaji Gusht 2021 keni në sirtarin tuaj Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës së AKS nr. XX/2021, me të cilën parashihen edhe 20 pozita të reja, me qëllim të funksionalizimit të AKS karshi agjencive si motra të BE-së.
–         Gjithashtu ju kemi njoftuar edhe në emailin e datës 11/9/2021 se në vazhdimësi jemi duke plotësuar dhe avancuar dokumentacionin e nevojshëm, si dhe hartimin e një mori dokumentesh të cilat janë të gatshme.
Në tërë këto çështje ju fare nuk keni treguar asnjë interesim, ani pse kemi kërkuar në çdo email që të takohemi dhe sqarohemi për çdo hap.

Në lidhje me shkresën tuaj ku keni përmendur një krahasim (fq.2 të shkresës) citoj:

…kjo gjendje ka vazhduar përkundër vërejtjes me gojë rreth vijueshmërisë, të cilën i kam dhënë z. Reçica në takimin tonë me 6 Gusht 2021”.

Në këtë takim nuk keni dhënë asnjë vërejtje ligjore apo ndonjë shkresë qarkore që keni kërkuar diçka nga AKS. E vetmja kërkesë në këtë takim nga ana juaj ka qenë ndaj stafit të AKS-së, duke i akuzuar se s’janë fare pro-aktivë, ashtu si AMK, duke aluduar në takimin tuaj jo formal me zyrtarët e nivelit të ulët administrativ jashtë dijenisë së drejtorëve të Agjencive, gjë që përbënë shkelje të rëndë të etikës dhe Ligjit mbi Zyrtarët Publik, si dhe Ligjit mbi Administratën Shtetërore. Madje disa nga zyrtarët të janë drejtuar si mendon proaktivë? Me intrigur dhe me spiunuar detale të kota. Ju i keni ikur temës.

“Zonja Hajdari-ministre, më tutje në shkresë në faqen 2 keni përmendur siç citoj: vërejtje të ngjashme i kemi dhënë edhe z. Ferki Fejza, ish drejtor i përgjithshëm i AMK por siç shihet z. Fejza paska reflektuar. Atëherë pyetja shtrohet përse suspenduat dhe larguat Ferki Fejzën Drejtor i Përgjithshëm i AMK-së, i cili ka qenë i vlerësuar për punën e tij nga çdo institucion si dhe auditori gjeneral, për sukseset dhe arritjet e këtij agjencioni. Për këto suksese madje edhe Departamenti Amerikan i Shtetit më parë i ka vlerësuar për suksese dhe të arritura. Si duket metoda juaj (“modus operandi”), qenka për t’i eliminuar kuadrot profesionale që kanë thirrje meritore si Ferki Fejza inxh. i kualifikuar me përvojë të lartë, dhe drejtorët tjerë që nuk qenkan përshtati. Më pastaj situatë të njëjtë keni përdorur edhe me drejtoreshën e ARBK-së zonjën Nexhmije Selimi duke injoruar tërësisht, pavarësisht rezultateve të theksuara në këtë agjenci. Një situatë të tillë për të eliminuar kuadrot keni treguar edhe në rastin e Nezir Gashit, ku pavarësisht performancës së jashtëzakonshme paraprake të vlerësimit ju keni larguar nga pozita. E nderuara zonja Hajdari- ministre në rastin tim ju keni injoruar tërësisht Agjencionin e Standardizimeve të Kosovës”, thekson Reçica. 

Në vazhdim mund ta lexoni pjesën tjetër të përgjigjës që Reçica i ka dërguar ministrave Hajdari dhe Sveçla:

–         Nga data e ardhjes në pozitë ju keni porositur zyrtarët tuaj për të mos me pajisur me PC zyrtar dhe mjetet tjera përcjellëse.
–         Nuk keni dhënë zgjidhje për asnjë kërkesë që kanë të bëjnë me hapësirën e punës, ku në një zyre të AKS- edhe në situatën e COVID 19 kanë punuar 7 punonjës të stafit civil. Madje z. Avdullahu në zyrën e AKS-së ta ka thënë publikisht se jeni duke neglizhuar kërkesat tona, por prapë nuk keni ndërmarrë asnjë veprim.

Çështjet më shqetësuese janë si në vijim:

–         Zhvillimi i takimeve jo formale me zyrtarët e agjencive duke anashkaluar zingjirin hierarkik, gjegjësisht pa dijeninë e eprorëve të tyre. Kjo bie ndesh me Ligjin për Shërbyesit Civil.
–         Keni shpërfillë kërkesat e agjencive për takim dhe çdo nevojë të Agjencive në përgjithësi.
–         Keni bashkëpunuar me njërëz brenda Ministrisë, të cilët janë shkelës të Ligjit.
–         Sulmi dhe presioni pasiv, direkt dhe indirekt si dhe veprimi me zyrtarët e nivelit më të ulët “Inter alia” ndaj kryeshefave, pasi të njëjtit nuk kanë pranuar të bashëpunojnë në kërkesa të kundërligjshme (siç përmendet Ferki Fejza AMK) janë praktika të papranueshme.
–         Keni anashkaluar dhe shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke vendosur në komisione të ndryshme zyrtart, pa njoftuar fare apo pa asnjë aprovim të eprorëve të tyre, madje nuk i keni vënë në dijeni fare eprorët e tyre të Agjencive, për përdorimin e zyrtarëve.
–         Në rastin e AMK keni ndërhyrë direkt për ta anuluar konkursin për zyrtarë të meterologjisë.
–         Ligjin për AKS-në edhepse keni në email nga muaji Gusht 2021 ju e keni bllokuar për arsye që nuk i dijmë.
–         E keni ndaluar zbatimin e ligjit në AMK vetëm për arsye se i njëjti ka pasur në plan inspektimin në terren të njëhsorëve elektrik të KEDS-it, me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës, nga keqpërdorimi i mundshëm për njëhësorët elektrik të pa kalibruar.
–         Jemi në dijeni gjithashtu se i keni ridestinuar fondet e Bankës Botërore me disa eksponentë brenda ministrisë, pa asnjë aprovim apo njoftim paraprak të Agjencive përfituese, për të cilat kanë qenë të destinuar fondet. Këto fonde kapin vlerën prej 7 milionë eurove dhe ju nuk jeni mbështetur në asnjë arsyetim ligjor, por vetëm keni dhënë shpjegime fiktive
–         Ka edhe kryeshefa që keni inicuar procedura disiplinore, por i keni tërhequr, pasi të njëjtit kanë rikrijuar “lidhje me ju”.
–         Ndërhyrja e nivelit politik e ndërhyrjes së drejtpërdrejt me kërcënime qoftë gojarisht për pengimin e ekzekutimit të detyrave të zyrtarëve që janë të thirru me ligj të ushtrojnë atë rreth të punëve administrative shtetërore.
Metodat që po përdorni nuk janë të nivelit profesional dhe që i kontribuojnë zhvillimit të ministrisë, përkundrazi ju duhet të motivoni kulturën institucionale dhe të respektoni dhe bashëpunoni me personat që kanë integritet të lartë, thirrje profesionale dhe përvojë të dëshmuar në fushën gjegjëse. Kjo për arsye se këta individë  janë të dëshmuar për suksese shtetërore, duke realizuar projekte kapitale dhe realizuar vlerën për para, e jo ti eliminoni me kësi lloj praktika.

Këto praktika të ngjashme kanë qenë në nivelin shtetërore të KSAK të Kosovës gjatë viteve të 90 – ta të shekullit të kaluar, kur pas hyrjes së masave të dhunshme në Kosovë, prindërit tanë janë suspenduar nga puna pa asnjë arsye, me një vendim fiktiv, vetëm se në rastin tuaj dhe në shkresat tuaj mungon fjalia e famshme serbe e asokohe: “nepodoban  za srbsku drzavu…”.

Në të gjitha të dhënat paraprake si raporti i progresit, raporti i auditimit gjeneral, raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan këto Agjenci kanë shënuar progres të avancuar. Prandaj është e  natyrshme që këta kryeshefa që i keni përmendur në shkresën tuaj që nuk do të ju nënshtrohen asnjë kërkese të kundërligjshme apo presioni të nivelit të tillë.

Me të gjitha këto veprime, e që nuk janë të tëra që kemi përmendur në këtë shkresë keni penguar funksionalizimin e agjencive të pavarura si dhe funksionimin e tyre normal. Pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve tuaja zonja Hajdari- Ministre, do të shihen shumë shpejt.

Tutje do procedoj përshtatshmërisht sipas nevojave dhe rrethanave.

Pavarësisht të gjitha situatave të krijuara çdo herë kur ka ndonjë nevojë për këshillimin dhe profesionalizëm në fushën e zhvilimit të projekteve shtetërore, të cilat  do t’i kontribuonin shtetit tim  (Republikës së Kosovës), jam i gatshëm të shërbej në çdo situatë.

Tani jemi një shtet ligjor i së drejtës ku do të sundojë ligji dhe Kushtetueshmëria. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës janë të inkuadruar liritë më të larta demokratike si postulat i Konventës Evropiane për Liritë dhe të drejtat e Njeriut, si dhe mekanizmat për realizimin e këtyre të drejtave, për të cilat nuk do hezitojmë në asnjë situatë t’i përdorim në çdo instancë.