Shumë nga diplomatët që do të kthehen në Prishtinë me vendim të ministres, Meliza Haradinaj-Stublla, nuk e kanë në dispozicion minimumin e kohës që nevojitet për t’u përgatitur për lëshimin e misionit ku janë duke shërbyer.

Haradinaj-Stublla ka vendosur t’ua shpërfillë kërkesat për shtyrje të afatit të kthimit.

Nga misionet jashtë vendit, janë ftuar për t’u kthyer dhe për të shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme më shumë se 50 anëtarë të personelit diplomatik dhe konsullor. Mbështetur në një arsyetim që e ka dhënë ministrja Haradinaj, ata kanë përfunduar mandatin e rregullt 4-vjeçar, e disa ka më shumë se tetë vjet që pa shkëputje nuk janë kthyer asnjëherë për të shërbyer në Ministri, shkruan KOHA Ditore.

Sipas burimeve, disave prej tyre u është kërkuar të kthehen brenda gushtit, ndërsa për një numër anëtarësh që kanë lidhje me njerëz të politikës, ministrja është treguar zemërgjerë dhe u ka lënë kohë të mjaftueshme në dispozicion.

Kjo ka nxitur pakënaqësi te një numër anëtarësh të Shërbimit të Jashtëm, që janë prekur nga vendimet e Haradinajt.

“Në praktikën diplomatike, por edhe në praktikën e deritashme tonën, është që së paku tre muaj të lihen në dispozicion për t’u përgatitur për kthimin. Është afat minimal. Kjo kohë është e nevojshme, qoftë për të shkëputur raporte kontraktuese që mund të kesh lidhur në vendin ku ndodhesh me familje, si për fëmijët në kopsht apo për çështje të tjera, e deri te takimet lamtumirëse me njerëz, me të cilët keni krijuar raporte gjatë qëndrimit në mision”, ka thënë ky burim. “Kësaj i shtohen edhe shumë probleme që për burim e kanë pandeminë”.

Adresimin e kërkesave për shtyrje të kohës së kthimit e konfirmon edhe një email, që zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shkelzen Morina, ua ka përcjellë ambasadorëve dhe shefave të misioneve që Kosova i ka jashtë vendit.