Ann Linde

Ministrja e Jashtme e Suedisë: Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë prioritet dialogun

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, thotë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është rruga para për të dyja palët. Linde është takuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Linde thotë se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet ta bëjnë dialogun prioritet.

“Një diskutim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Mirosllav Lajçak, për dialogun Beograd – Prishtinë të ndihmuar nga BE-ja. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është rruga para. Dy shtetet duhet ta bëjnë prioritet dialogun”, ka shkruar Ann Linde në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë ka përsëritur se dialogu nuk është në krye të prioriteteve të tij dhe se është diku në vend të katërt në listë.

“Para diskutimit sot në Këshillin e Çështjeve të Jashtme për Ballkanin Perëndimor, jam takuar me ministren e Jashtme të Suedisë dhe kryetaren e OSCE-së, Ann Linde. Kemi folur për nevojën për të forcuar kredibilitetin e BE-së në rajon, dialogun dhe rolin e rëndësishëm që OSCE-ja luan në këtë fushë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.