Ministrja e Arsimit i dërgon në Prokurori dhe në Gjykatën për Kundërvajtje shkeljet e kolegjeve private

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se i ka dërguar në Prokurori dhe në Gjykatën për Kundërvajtje të gjitha shkeljet e evidentuara nëpër kolegje private që kishin të bëjnë me ushtrim të veprimtarisë pa pasur licencë të lëshuar nga MASHT, pa akreditime të programeve, me regjistrim të studentëve nëpër programe të pezulluara.

“E gjetur tjetër është së në shumë raste kanë regjistruar më shumë studentë se sa kuota e lejuar. Të gjitha këto shkelje janë adresuar në organet kompetente, Prokurori dhe në Gjykatën për Kundërvajtje”, ka thënë Nagavci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto të dhëna Nagavci i ka dhënë të premten në seancën plenare të Kuvendit të Kosovën, në kohën e paraparë për pyetje të deputetëve, ku pyetjet për temën e kolegjeve private e ka bërë deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka.

Uka ka kërkuar përgjigje nga ministrja Nagavci në lidhje me studentët e disa institucioneve private të cilët nuk ishin regjistruar në librin amëz, dhe si rrjedhojë ata kishin humbur mundësinë për të studiuar në nivele të tjera të mëtejme.

Uka ka kërkuar informacione nëse është ndërmarrë ndonjë masë ndëshkimi për këto raste për shkeljet e evidentuara nga bartësit e arsimit të lartë privat.

Ministrja Nagavci tha se për këtë rast është themeluar një komision në mënyrë që të gjithë studentët që padrejtësisht janë dëmtuar nga veprimet jo të mira qoftë të bartësve të institucioneve të arsimit të lartë apo edhe atyre që kanë qenë në vendimmarrje  në MAShTI, të mos dëmtohen nga kjo.

Ajo ka thënë se janë mbajtur 15 takime, ku janë shqyrtuar 15 000 raste, në më shumë se 10 mijë studentë tashmë i kanë të njohura diplomat e tyre.

Nagavci ka thënë se tek shkeljet, Inspektoriati i Arsimit i ka realizuar 31 inspektime në 24 institucioneve bartëse të arsimit të lartë, të gjeturat të cilat janë adresuar tek organet e drejtësisë.

Ndërkohë, në seancën plenare për Sesionin Vjeshtor, në pikën e tretë të rendit të ditës për pyetjet parlamentare, u parashtruan nëntë pyetje ndaj pesë anëtarëve të Qeverisë. Vetëm Nagavci është përgjigjur në dy pyetje parlamentare, katër ministrat e tjerë munguan në seancë.

Deputetja Arjeta Fejza kërkoi nga ministrja Nagavci që të deklarohet se cilat janë masat që do të ndërmerren nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në lidhje me parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik në sektorin e arsimit.

Ministrja tha në bazë të informacioneve të deritanishme, Ministria është munduar ta adresojë dhe ta shmangë konfliktin e interesit në rastet kur kanë pasur të bëjmë me zyrtarët e MASHT-it.

Ajo tha se është finalizuar Rregullorja për Shmangien nga konflikti i interesit e cila ka qenë në dëgjim publik e cila shumë shpejt do të miratohet.

Katër ministra të Qeverisë nuk kanë qenë prezentë për t’u përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetëve në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Tre pyetje u parashtruan ndaj Ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, dy pyetje u parashtruan ndaj Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, një  pyetje u parashtrua ndaj Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe një  pyetje u parashtrua ndaj Ministres së Drejtësisë,  por të cilat nuk ishin të pranishëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Sipas Rregullores së Kuvendit, në rastet kur anëtari i Qeverisë nuk mund të jetë i pranishëm gjatë parashtrimit të pyetjeve, ai e njofton Kryetarin e Kuvendit për mungesën e tij/saj. Këto  njoftime nuk u bënë publike gjatë kësaj pike të rendit të ditës.

Rregullorja po ashtu ka paraparë që në rastet kur ka mungesë pa arsye të anëtarit të qeverisë, këtij të fundit t’i “tërhiqet vërejtja publikisht nga kryesuesi i seancës për qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit dhe deputetit.” Vërejtje të tilla nuk u bënë nga Kryetari i Kuvendit.

Në lidhje me mosveprimin e Kryetarit, Instituti i Kosovës për Drejtësi, pas përfundimit të kësaj pike i është drejtuar me shkrim Kryetarit lidhje me atë se a është njoftuar  paraprakisht me shkrim se ministrat e lartëcekur do të mungojnë në seancë dhe a e kanë bërë këtë konform Rregullores dhe nëse ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë, pse nuk i’u është tërheqë vërejtja publike për qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit dhe deputetit.

Deri më tani përgjigje të tilla nuk kanë ardhur në drejtim të monitoruesve të IKD-së.