Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka dënuar gjuhën e përdorur të deputetit të PDK-së dhe profesorit universitar, Ardian Kastrati, që pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente ndau një fragment nga Faik Konica për satirë.

“…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me fytyrë të kuqe si piper t’Ohrit”, ishte pjesa që zgjodhi Kastrati duke thënë se i pëlqen satira e Konicës.

Nagavci, duke e quajtur skandaloze gjuhën e përdorur nga Kastrati, ka thënë se një veprim i tillë është një problem i madh që duhet shqyrtuar seriozisht.

“Gjuha e përdorur nga Ardian Kastrati është skandaloze dhe e papranueshme. Është shumë shqetësuese në secilin rast, e duke ditur se i njëjti është profesor universitar e deputet është jo vetëm e papranueshme dhe e dënueshme, por duhet reagim i përgjithshëm dhe distancim edhe nga bashkëpunëtorët e tij. Kjo më s’ka të bëj me edukatën e tij, kjo është problem më i madh dhe duhet shqyrtuar me seriozitet”.