Ministritë do të presin deri në fund të majit për të vendosur për përmbylljen e vitit shkollor dhe rihapjen e çerdheve

Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë kanë vendosur se duhet të pritet vlerësimi i paraparë i fazës së dytë të luftimit të pandemisë së koronavirusit, deri në fund të muajit maj, për të marrë vendim për mbylljen e vitit shkollor dhe për rihapjen institucioneve edukative-arsimore publike e private.

Kjo u vendos në një takim që sot patën ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, e shoqëruar nga zëvendësministrat dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani. Aty ishte e pranishme edhe drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala. Temë e diskutimit ishte zhvillimi i procesit arsimor në përmbyllje të vitit shkollor dhe të vitit akademik në kontekstin e pandemisë COVID-19.

“MAShTI kërkoi opinione dhe sugjerime nga MSh dhe IKShPK për një sërë aspektesh si përfundimi i vitit shkollor dhe akademik, provimi i maturës dhe testi i arritshmërisë, provimet në institucione të arsimit të lartë dhe çështja e institucioneve parashkollore përfshirë edhe mundësitë eventuale të rihapjes së institucioneve edukative-arsimore publike dhe private bazuar në trendet epidemiologjike”, thuhet në njoftim të Ministrisë së Arsimit.

Sipas njoftimit, palët janë dakorduar se duhet të “vazhdohet me qasjen e kujdesshme dhe me punën e deritanishme në menaxhimin e institucioneve dhe të procesit arsimor me qëllim të mbrojtjes së popullatës dhe luftimit të pandemisë COVID-19”.

“Pas trajtimit në hollësi të gjitha çështjeve relevante, u vlerësua se duhet pritur edhe vlerësimin e paraparë të fazës së dytë të luftimit të pandemisë deri në fund të muajit maj. Kjo analizë e institucioneve tona përgjegjëse për menaxhimin e kësaj emergjence do të tregojë për hapat e mëtejmë për menaxhimin më të mirë të aktiviteteve të parapara për përfundimin e vitit shkollor dhe organizimin më të mirë të mundshëm të testeve kombëtare. Ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKShPK-së u zotuan se do të ofrojnë përkrahje për proceset e ardhshme në sektorin e arsimit. Palët, po ashtu, u dakorduan se kërkohet vazhdimi i mobilizimit dhe qasjes së angazhuari të gjithë Qeverisë dhe faktorëve arsimor, përfshirë drejtoritë komunale të arsimit dhe të menaxhmentit të shkollave për të menaxhuar si duhet fazën e ardhshme të Pandemisë Covid- 19”, përfundon komunikata e MASHTI-it.

Faza e dytë e lehtësimit të masave ndaj pandemisë ka filluar më 18 maj. E treta do të nisë më 1 qershor. Kur ishin publikuar masat, më 17 maj, Ministria e Shëndetësisë kishte bërë të ditur se në rivlerësim gjatë fazës së dytë do të jenë masat për parqet, ceremonitë fetare, tregjet, palestrat, qendrat e kujdesit dhe qendrat tregtare.

Në fazën e tretë është paraparë lejimi i qarkullimit të qytetarëve, lehtësimi i transportit urban dhe ndërurban, lejimi i taksive, gastronomive, e të ketë edhe Test të Maturës e Arritshmërisë, varësisht nga situata. Të enjten, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kërkoi rishikim të këtyre masave e intensifikim të rihapjes.