Ministria serbe e Drejtësisë kërkon nga Maqedonia ekstradimin e ushtarit të UÇK-së

Ministria serbe e Drejtësisë është njoftuar zyrtarisht se Tomor Morina, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është arrestuar në Maqedoninë e Veriut sipas fletëarrestit të Serbisë.

Nga kjo ministri kanë thënë se do të dorëzojnë kërkesë zyrtare në drejtësinë maqedonase që Morina të ekstradohet në Serbi, shkruan Ballkani.info.

Ish-ushtari i UÇK-së pjesëmarrës në luftërat në Kosovë, Tomor Morina është arrestuar dje në vendin në kalimin kufitar të Bllacës.

Nga MPB-ja e Maqedonisë kanë konfirmuar se Morina është arrestuar me kërkesë nga Serbia, për shkak të dyshimit se ka marrë pjesë në krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dënuar ndalimin e ish ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina në Maqedoninë e Veriut.

Jetlir Zyberaj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në rrjetin social Facebook thekson se ky është një tjetër shembull i keqpërdorimit politik nga Serbia.

Morina ka qenë pjesëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës. /Ballkani.info/

loading…